Mijëra shtetas të huaj kthejnë sytë drejt Shqipërisë, si një vend që të ofron punësim apo kushte më të mira jetese krahasuar me vendet e tyre të origjinës. Këtë e faktojnë shifrat në rritje të shtetasve të huaj që aplikojnë për leje qendrimi në vendin tonë.
“Për vitin 2025 kanë aplikuar për tu pajisur me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë rreth 14.806 shtetas të huaj dhe janë pajisur me leje qëndrimi rreth 11 mijë shtetas. Motivi i aplikimeve ka qënë punësimi, kemi mbi 8 mijë shtetas të huaj për arsye punësimi që kanë aplikuar këtë vit për leje qendrimi. Krahasur me vitin 2024 kemi një rritje, sepse për këtë vit është ky numer deri në shtator, ndërkohë për gjithë vitin e kaluar kanë qënë të pajisur me leje qëndrimi rreth 13 mijë shtetas të huaj”, tha Laureta Spirollari, Policia e Shtetit.
Turizmi, shërbimet e restoranteve, ndërtimi, por edhe profesione të kualifikuara si mjekë apo inxhinierë janë kërkesat për punësim në Shqipëri. Ndërkohë vala e emigrantëve të regjistruar në vendin tonë janë nga shtete të ndryshme.
“Kategoritë janë të ndryshme. Për turizëm restorante, mirëmbajtje, por nuk mungojnë inxhinierë apo mjekë, gjithashtu punonjës shtëpie, apo kujdestar fëmijësh. Më së shumti për kategoritë me kualifikime të lartë janë mjekë që vijnë nga Turqia. Kurse shtetësit më kryesore që aplikojnë në vendin tonë për leje qendrimi janë Filipinet, Indi, Itali, Egjipt, Kosovë dhe Turqia.”
Ndërkohë që rriten numri i shtetasve që aplikojnë për leje qendrimi, nga ana tjetër kemi një ulje të ndjeshëm të numrit të emigrantëve të parregullt.
“Për vitin 2025 kemi patur një numër prej 1500 shtetas të huaj të parregullt dhe ky numër ka ardhur në rënia nga vitin 2020.”
Ndërkohë 105 shtetas të huaj kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare, apo siç njihet ndryshme azil politik, shtetas që vijnë kryesisht nga Egjipti apo nga Lindja e Mesme, pikërisht vende që ndodhen në konflikt. Drejtoria e Kufirit verifikon të gjitha rastet e azilkërkuesve, por që në shumë raste ata më pas largohen ilegalisht në vende të Bashkimit Evropian, fillimisht duke kaluar drejt Malit të Zi./ Vizion+






