Mbi 1,200 kontrolle brenda një viti në klinikat dentare të vendit dhe dhjetëra masa administrative tregojnë se shërbimi stomatologjik në Shqipëri mbetet nën vëzhgim të fortë.
Sipas raportit të punës të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, gjatë vitit të kaluar janë kryer 1,206 inspektime dhe ri inspektime në kabinete dhe laboratorë dentarë publikë dhe jopublikë, në zbatim të Ligjit Nr. 9928 “Për shërbimin shëndetësor stomatologjik”, të ndryshuar.
Në total janë realizuar 1,162 inspektime dhe 44 ri-inspektime. Nga kontrollet janë vendosur 5 gjoba, 6 vendime të ndërmjetme për marrje mase urgjente dhe 20 paralajmërime.
Edhe pse numri i gjobave mbetet relativisht i ulët krahasuar me volumin e kontrolleve, lista e shkeljeve të konstatuara tregon problematika që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe standardet bazë të funksionimit.
Tirana mban peshën kryesore të kontrolleve me 410 inspektime dhe 4 ri inspektime, ku janë vendosur 3 gjoba, 2 vendime të ndërmjetme dhe 7 paralajmërime.
Pas saj renditen Durrësi me 126 inspektime dhe 5 ri inspektime, si dhe Shkodra me 111 inspektime dhe 25 ri inspektime, kjo e fundit me numrin më të lartë të ri kontrollimeve gjatë vitit. Në Durrës janë aplikuar 1 gjobë, 3 vendime të ndërmjetme dhe 6 paralajmërime, ndërsa në Shkodër 1 vendim i ndërmjetëm dhe 4 paralajmërime.
Elbasani rezulton me 74 inspektime dhe 5 ri inspektime, ku është vendosur 1 gjobë. Qarqe si Berati, Dibra, Gjirokastra, Kukësi dhe Vlora nuk kanë pasur masa ndëshkimore gjatë vitit, pavarësisht kontrolleve të kryera.
Mangësitë më të shpeshta lidhen me dokumentacionin higjieno sanitar dhe shëndetësor, përfshirë mungesën e akt miratimit higjieno sanitar, certifikatave DDD, analizave të ujit të pijshëm, libreza shëndetësore të personelit dhe dokumentacionit teknik përkatës.
Janë evidentuar gjithashtu raste të mos rinovimit të lejes së ushtrimit të profesionit nga mjekë stomatologë, hapësira të pamjaftueshme për ushtrimin e aktivitetit dhe mungesë ambientesh për magazinimin e përkohshëm të mbetjeve spitalore.
Në një treg ku shërbimet dentare janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, me shtim të klinikave private dhe investime në teknologji, raporti i vitit 2025 sinjalizon se përputhshmëria me standardet ligjore dhe higjieno sanitare mbetet një sfidë.
Edhe pse qasja e inspektoratit duket më shumë korrektuese sesa penalizuese, gjetjet nënvizojnë nevojën për rritje të përgjegjësisë dhe formalizimit në një sektor që prek drejtpërdrejt shëndetin publik.//monitor






