Ballina Bota “Mbi 100 mijë viza…”, shqiptarët tek aplikuesit kryesorë për bashkimet familjare në...

“Mbi 100 mijë viza…”, shqiptarët tek aplikuesit kryesorë për bashkimet familjare në Gjermani

Pavarësisht shtrëngimit të ndjeshëm të politikave të imigracionit nga qeveria e koalicionit të CDU/CDU dhe Socialdemokratëve në Berlin, këtë vit janë lëshuar më shumë se 100 mijë viza për bashkim familjar. Kjo sipas shifrave nga Ministria e Jashtme, të raportuara së fundmi. Sipas të dhënave nga Ministria e Jashtme, 101 mijë e 756 viza u dhanë deri në fund të nëntorit për pesë kombësitë me më shumë aplikime. Më së shumti vizat u dhanë për turqit (14 mijë e 907) dhe sirianët (13 mijë e 148), të ndjekur nga qytetarë nga India (9 mijë e 286), Kosova (7 mijë e 143) dhe Shqipëria (4 mijë e 426).

E drejta për bashkimin familjar në Gjermani përgjithësisht vlen vetëm për familjen bazë, që do të thotë bashkëshortët/et dhe fëmijët e mitur. Ekzistojnë përjashtime për raste të vështira dhe, që nga një reformë në mars 2024, edhe për prindërit dhe vjehrrit e profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar me kualifikim të lartë që mund të sigurojnë në mënyrë të pavarur jetesën e të gjithë familjes.

Në korrik, qeveria gjermane e CDU/CSU dhe SPD e pezulloi ribashkimin familjar për dy vjet për personat me status mbrojtjeje të kufizuar, ndryshe nga refugjatët e njohur. Vetëm në “raste të vështira” atyre u lejohet ende të sjellin bashkëshortët/et e tyre, fëmijët e mitur si edhe, në rastin e të miturve të pashoqëruar, prindërit e tyre në Gjermani./ Marrë nga DW

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks