Reth 27 mijë maturantë do t’i nënshtrohen këtë të martë provimit të dytë të maturës shtetërore atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Provimi i cili ka nisur në 10:00 do të përfundojë në orën 12:30. Këtë vit MAS, ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi të kufizuara.
Janë ngritur 145 qendra testimi sipas standardeve, ndërsa 640 mësues janë përfshirë në procesin e vlerësimit. Në këtë ditë të rëndësishme për nxënësit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, i ka uruar suksese të gjithë maturantëve.
“Suksese maturantëve në mbarë vendin, të cilët sot japin provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke testuar njohuritë e tyre për gjuhën dhe trashëgiminë tonë letrare”, shkroi Manastirliu në rrjetet sociale.
Përsëritet skema sërish. Teza e e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe është publikuar në rrjete sociale 20 minuta pas nisjes. Në rrjete sociale ka qarkulluar me shpejtësi variant i tezës B. Ndërkohë provimi vijon deri në në orën 12:30. Publikimi i tezave të provimeve të Maturës që duhej të ishin sekret vijojnë të bëhen publike.
Rregulla gjatë provimit:
Nxënësit duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë);
Gjatë provimit nxënësit duhet të kenë veshje të rregullt, uniforma e shkollës;
Gjatë kosës që zhvillohet provimi ndalohen rreptësisht: telefonat dhe ora smart;
Nxënësit duhet të përdorin stilolaps me një ngjyrë dhe kurrë më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit;
Firmosni kur merrni dhe dorëzoni testin;
Kontrolloni testin për pasaktësi ose paqartësi në lexim;
Nuk lejohet largimi para 12:30;
Sjellje korrekte dhe vëmendje gjatë testit.
Provimi i radhës është ai i Matematikës më 17 qershor, ndërsa Provimi me Zgjedhje më 24 qershor.
Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.
Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur.