Luhatjet e forta të Euro-s në kursin e këmbimit valutor në Shqipëri përgjatë 2 viteve të fundit, e kanë gjunjëzuar biznesin e manifakturave. Nga largimi i brendeve, shkurtimi i numrit të punonjësve dhe deri tek mbyllja e plotë e fabrikave, janë realitete e reja të krijuara. Përballë kësaj situate, 2024-ta, parashikohet edhe më e zymtë nga përfaqësuesit e këtij sektori, që nga Shkodra lëshuan thirrjen e radhës për qeverinë që të ndërhyjë për të normalizuar situatën.
Koordinatori i pro-eksport, Florjan Zekja thotë se rënie drastike nuk ka pësuar vetëm manifaktura, por një pjesë e madhe e sektorit që ndikon direkt në ekonominë e vendit. Eksportet janë treguesi kryesor. Zgjidhjet mund të jenë disa, por vetë përfaqësuesit e këtyre bizneseve ndahen në qëndrime kur flitet për ndërhyrjen që qeveria mund të bëjë në kursin e këmbimit. Një pjesë e tyre nuk janë dakort në këtë pikë dhe japin zgjidhje të tjera.
Përfaqësuesit e sektorit të manifakturës thonë se nga Janari i 2024-es, nëse nuk ka një zgjidhje të shpejtë nga qeveria, kriza do të thellohet dhe minimalisht në ditë do të largohen nga puna 30 punonjës. Kjo “errësirë”, sic e quajnë ato, do të jetë më ndikim negativ në ekonominë e vendit.



