Sot u inaugurua Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin. Ceremonia u zhvillua në praninë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani; Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović; si dhe përfaqësuesve të tjerë të qeverisë qendrore e vendore, trupit diplomatik dhe qytetarëve ulqinakë.Ministri Hasani e cilësoi hapjen e konsullatës si një dëshmi e raporteve të veçanta mes dy vendeve dhe një hap domethënës për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Në një kohë kur Shqipëria dhe Mali i Zi janë aleate dhe ndajnë një vizion të përbashkët për paqe, stabilitet dhe integrim evropian, ky hap përfaqëson një shtyllë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet – politik, ekonomik, kulturor dhe njerëzor,” – u shpreh ai.
Konsullata e re synon të shërbejë si nyje për nxitjen e shkëmbimeve tregtare, promovimin e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm, veçanërisht në sektorë si turizmi, energjia dhe infrastruktura.
Në fjalën e tij, Ministri Hasani theksoi gjithashtu angazhimin e pandërprerë të qeverisë shqiptare për të mbështetur shqiptarët kudo që jetojnë:
“Qeveria shqiptare ndjek me kujdes dhe përkushtim zhvillimin dhe mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve. Komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugën demokratike dhe euroatlantike të vendit, dhe ka qenë gjithmonë një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe bashkëjetese.”
Në vijim të vizitës në Ulqin, Ministri Hasani zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit në fushat e kulturës, arsimit dhe turizmit.
Gjithashtu, Ministri vizitoi Qendrën e Librit dhe Promovimit të Kulturës Shqiptare – Libraria Ulqini. Ai përmendi se në fillim të këtij viti është bërë disbursimi i një shume prej 50 mijë eurosh për mbështetjen e kësaj qendre, ndërsa garantoi se ndihma financiare do të vazhdojë.
Në përmbyllje të vizitës, Ministri Hasani zhvilloi takime edhe me drejtues të partive politike shqiptare në Malin e Zi, për të diskutuar zhvillimet rajonale dhe sfidat politike, duke nënvizuar rëndësinë e përfaqësimit aktiv të shqiptarëve në institucionet vendore dhe shtetërore.