Në deklaratën e tij të parë për policinë, babai i Ramazan Matës, Fatmir Mata, ka shprehur pasigurinë dhe dhimbjen lidhur me vrasjen e djalit të tij.
Ai theksoi se nuk ka njohuri për asnjë arsye që mund të ketë çuar në ngjarjen tragjike dhe shtoi se, sipas tij, Ramazani nuk ka pasur asnjë problem apo konflikt me individë të tjerë. Fatmir Mata nënvizoi gjithashtu se djali i tij kishte pasur një jetë të vështirë, duke u rritur në kushte të vështira, dhe se nuk ka qenë një person problematik.
“Nuk e di arsyen e vrasjes. Djali im nuk ka pasur asnjë problem me persona të tjerë dhe asnjë konflikt. Ne nuk jemi në dijeni të asnjë konflikti. Djali im është rritur pa bukë dhe me shumë vështirësi. Nuk ka qenë aspak person problematik”, tha i ati i viktimës.
Nga pamjet nga vendi i ngjarjes shihet makina e qëlluar me breshëri plumbash nga të dya anët. Nderkohe xhaxhai i 33-vjeçarit që u vra me armë zjarri, Naim Mataj tha se policia nuk i la të shikonin trupin e pajetë të djalit.
Ai u shpreh se nuk kishin asnjë konflikt me askënd dhe se nuk e di përse ka ndodhur vrasja. I moshuari tha se Ramazani ishte një prej tre fëmijëve të familjes, ndërsa vëllai i viktimës ndodhet në Belgjikë.
Xhaxhi i viktimës: Nuk na ka shpreh asnjë shqetësim, ka punuar në Ulqin në ndërtim. I ati tha kam komuniku në 8:30 dhe më pas jo. Nuk kemi dëgjuar krisma, po këtu njerëzit i kanë dëgjuar. Nuk kemi probleme me askënd. Apelin e kemi për policinë, nuk na la të shikonim kufomën.
Nuk kemi pas probleme, e kishim rujt fëmijën po të kishim probleme. Janë dy djem dhe një vajzë. Është rrit me kushte të këqija. Nuk ka qenë i martum, vëllai tjetër në Belgjikë, e lajmërova për me ardh, nëse vjen.
Ramzan Mataj u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij tip “Benz” dhe më pas u gjet nga kalimtarët e rastit, banorë të fshatit Dragoç.
Autorët dyshohet se e kanë ruajtur Matajn gjatë natës dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshatit, e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.
Ishin banorët që panë 33-vjeçarin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes.
“Rreth orës 07:15, në fshatin Dragoç, në rrugë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Benz, me drejtues shtetasin R. M., 33 vjeç, banues në Dragoç, Shkodër, i cili ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve“, sipas njoftimit të policisë.