Ky 32-vjeçar shqiptar që shikoni në këtë foto ka humbur jetën në mënyrë tragjike ditën e hënë si pasojë e një aksidenti rrugor në zonën e Marzabotto, pranë Bolonjas në Itali.
Autoritetet italiane e kanë identifikuar si Leonardo Fjora. Ai po udhëtonte përgjatë rrugës Porrettana me automjetin e tij tip Volksvagen Lupo, kur, sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, kreu një parakalim të rrezikshëm dhe u përplas ballë për ballë me një kamion të grumbullimit të mbetjeve që po vinte nga krahu i kundërt.
Pas përplasjes, makina doli nga rruga dhe u përfshi menjëherë nga flakët. 32-vjeçari mbeti i bllokuar brenda automjetit dhe ndërroi jetë mes flakëve. Në aksident u përfshi edhe kamioni, por drejtuesi i tij pësoi vetëm lëndime të lehta.
Në vendngjarje ndërhynë dy ekipe të zjarrfikësve me mbështetje nga një autobotë, të cilët shuan zjarrin dhe siguruan zonën.
Ekipet e urgjencës mjekësore konfirmuan vdekjen e të riut shqiptar, ndërsa karabinierët zbardhën plotësisht dinamikën e aksidentit.






