Drejtuesja politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke ngritur alarmin për parregullsi mbi shpërndarjen e zarfeve me fletët e votimit të emigrantëve në Greqi.
Sipas saj, qytetarët shqiptarë marrin njoftim për tërheqjen e zarfit, por kur paraqiten në postë, ai rezulton i tërhequr më parë nga persona të tjerë, duke ngritur dyshime për abuzime dhe manipulim të procesit të votimit nga jashtë.
“Nga Greqia po na vijnë njoftime shqetësuese. Në shumë raste, qytetarët po marrin lajmërimin për të tërhequr zarfin, por kur shkojnë në postë – zarfi nuk është më aty! Dikush tjetër e ka marrë, dhe ndoshta e ka plotësuar në vend të tyre”, shkruan ajo.
Topalli deklaron se ka marrë informacione se automjete nga Shqipëria kanë shkuar në Greqi për të mbledhur zarfet me fletët e votimit, duke e cilësuar këtë një zhvillim të rëndë dhe të rrezikshëm për integritetin e zgjedhjeve.
“Na informojnë gjithashtu se makina nga Shqipëria kanë shkuar për të mbledhur zarfat, kjo është tërësisht e paligjshme,” shkruan Topalli, duke shtuar se një akt i tillë cenon integritetin e votës dhe vullnetin e qytetarëve.
Ajo u bën apel të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe ende nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë, që të vijnë më 11 maj në Shqipëri dhe të japin votën e tyre fizikisht, si një mënyrë për të garantuar që vullneti i tyre të mos cenohet.
“E di që jeni lodhur nga padrejtësitë. E di që jeni larg. Por sot, vendi ka nevojë për një sakrificë tjetër nga ju. Ejani më 11 maj në Shqipëri! Ejani për të votuar për kthesën e madhe! Për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Për një Shqipëri që meriton më shumë”, shkruan ajo.