Në amfiteatrin natyror në Qafën e Predelecit u organizua të dielën Logu i Bjeshkëve, një nga festat më të bukura që ruan vlerat e trashëgimisë kulturore të Malësisë së Madhe.

Në këtë festë ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, prefekta e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, deputetë dhe mijëra qytetarë të ardhur nga çdo anë, të cilët përjetuan nga afër këtë festë të mbushur me spektakël ngjyrash, tingujsh dhe hijeshie.

Në fjalën e tij, Begaj tha se “kjo festë mishëron kaq bukur festën e malësorit dhe krenarinë e kulturës sonë si shqiptarë.Logu i Bjeshkëve ëshë një nga ngjarjet më kuptimplota të jetës kyultuoe e shoqrore ne trevat tona veriore”.

“Ky manifestim tradicional prej dekadash bashkon komunitetin rreth vlerave të mikpritjes, bukurisë natyrore kulturës popullore dhe krenarisë së gruas malësore. Ky aktivitet është një ritakim me historinë, artin, veshjet, vallet, këngët dhe natyrën, na kujton fuqinë e rrënjëve respektin për zakonet dhe përkushtimin për ti ruajtur e përcjellë ato brez pas brezi”, theksoi Begaj.

Këngët e moçme, vallet e gjalla, tingujt e lahutës dhe fyellit, u bashkuan me elegancën e vajzave konkurrente në “Mis Bjeshka”.

Spektakli, ku marrin pjesë nga të gjitha artistë nga trevat shqiptare dhe diaspora, promovon turizmin dhe trashëgiminë kulturore të Kelmendit, por edhe të gjithë Malësisë së Madhe.

Pas aktivitetit artistik, i gërshetuar me performancën e vajzave pjesëmarrëse në “Miss Bjeshka 2025”, juria shpalli edhe më të bukurën e malësisë, Aurela Lulaj, vajza me origjinë nga Vukli, e lindur në Itali, tashmë jeton dhe vazhdon studimet në Kanada, e cila veshi dhe promovoi me krenari xhubletën.

Të pranishmit ndoqën me interes koncertin e përgatitur me këtë rast, si dhe shijuan gatimet tradicionale të zonës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu