Dita e sotme shënon një vit nga sulmi terrorist në Banjskë. Sulmi i beftë i një grupi terrorist serb në Veri të Kosovës la pas një viktimë, tanimë dëshmor i atdheut, Afrim Bunjaku.
Orët e para të se dielës së 24 shtatorit të vitit 2023 ishin sfiduese për policinë e Kosovës, e cila u përball me një sulm me armë, nga persona të armatosur rëndë e të maskuar. Policia e Kosovës arriti të neutralizojë agresorët, por fatkeqësisht në emër të mbrojtjes së territorit të pavarur të Kosovës, ra rreshteri, Afrim Bunjaku.
Në përvjetorin e parë të kësaj ngjarjeje të rëndë ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës. Vjosa Osmani shprehet se kjo ndodhi është dëshmi se ndër shekuj Kosova është atdheu i përjetshëm dhe se liria nuk ka çmim.
“Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm”.
“Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm! Sot e përgjithmonë”, ka shkruar Osmani.
Rruga hyrëse në fshatin Banjskë do mbajë emrin e rreshterit Afrim Bunjakut, të vrarë më 24 shtator nga sulmi terrorist i Basnjskës! Persona të armatosur i bllokuan rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata qëlluan në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën Bunjaku.
50-vjeçari nga Samadrexha e Vushtrrisë, me pozicion rreshter, prej vitesh shërbeu në uniformat blu të vendit të tij. Babai i dy djemve dhe një vajze ishte transferuar në Zveçan që pas dorëheqjes së bujshme të serbëve nga strukturat policore.