Ka nisur në sheshin “Skënderbej” protesta madhështore në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Protesta mban moton “Liria ka emër, Drejtësi për çlirimtarët”.
Në protest po marrin pjesë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe figura të njohura politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e më gjerë.
Në orët e para të ditës së sotme, në “Rrugën e Kombit”, e cila u bë pa pagesë në shenjë solidariteti me pjesëmarrësit e protestës, u vërejtën lëvizje të shtuara. Dhjetëra automjete nga Kosova, të zbukuruara me flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së udhëtuan në grupe drejt kryeqytetit shqiptar.
Kjo protestë është e treta me radhë pas atyre të mbajtura në Prishtinë dhe Hagë, ku më 14 shtator u mblodhën rreth 10 mijë shqiptarë në afërsi të Gjykatës Speciale. Në Hagë, që prej 3 prillit 2023, po zhvillohet procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët i kanë mohuar të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.