Polumbarët e RENEA-s pas rreth 90 minuta kërkimesh, në kushte të pafavorshme për shkak të errësirës kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të 4 shtetasve, që u mbytën pasditen e sotme në liqenin e hidrocentralit të Banjës.

Arben Zogu 46 vjeç dhe dy djemtë e tij, 19-vjeçari Ruben dhe 14-vjeçari Esti Zogu dhe nipi  Melsi Zogu 20-vjeç, u nisën drejt liqenit për tu freskuar nga vapa përvëluese.

Udhëtimi do të ishte i fundit për ta por dhe u kthye në dhimbjen më te madhe te familjeve.

Motorët që përdorën, këta bishta cigaresh, shapka e teshat janë kujtimi që lanë në breg para se t’i merrte liqeni.

Në nisje lajmëruan familjarët.

Familjari: Na thanë që do iknin për t’u larë dhe janë ku i lanë, me kotorra i kanë këtu, me telefona, siç ishim me shapka dolën nga shtëpia dhe nuk do të vonohemi më shumë së 1 orë, na thanë. Nuk di të them më. Ata u nisën në orën 3, në orën 5 i merrnim në telefon dhe nuk na përgjigjeshin.

Të shqetësuar pak orë më vonë, pasi s’u përgjigjën në telefon u nisën t’i kërkonin, por ishte vonë.

Familjari: Pastaj erdha këtu, u futa dhe vetë aty më poshtë, dhe nuk gjeta gjë. Kaq. Nuk dimë gjë tjetër, s’dimë ç’të flasim më shumë.

Polumbarët e forcat e rendit mbërritën pak orë më vonë.

Drejtori i Zjarrëfikësave Gramsh: Ngjarja është shumë e rëndë. Babai me gjithë dy djemtë e tij erdhën për t’u larë këtu. Kanë tërhequr njëri-tjetrin, është mbytur i pari, ka vajtur për ta ndihmuar i dyti, e kështu me radhë. Të tre të rinjtë nuk kanë ditur not. Edhe i katërti nuk ka ditur not dhe kanë mbytur njëri-tjetrin.

Shkak mendohet se kanë qenë të papriturat e liqenit.

Drejtori i Zjarrëfikësave Gramsh: Këtu fatkeqësisht ka pasur disa gropa që janë bërë në kohën e ndërtimit të HEC-it të Banjës, kanë marrë dhe, e ato gropa janë të menjëhershme, këputen menjëherë dhe ata kur janë futur për t’u larë nuk e kanë ditur dhe kështu kanë tërhequr njëri-tjetrin, duke dashur ta ndihmojnë njëri-tjetrin por nuk kanë arritur dot ta bëjnë.

Ekspertët japin një këshillë për ata që duan të shuajnë zhegun e korrikut në liqen.

Drejtori i Zjarrëfikësave Gramsh: Liqeni nuk është për të vënë tabela informuese, liqeni është i gjithi i thellë dhe kjo gjë dihet dhe këtu nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not. Ata kanë hyrë dhe fatkeqësisht nuk kanë ditur not. Ne si shërbim zjarrëfikës atrullojmë çdo ditë, edhe dje këtu në këtë vend kemi qenë deri në darkë vonë, se kemi një gomone me të cilën patrullojmë vazhdimisht dhe bëjmë mësime treguese dhe fatkeqësisht sot nuk erdhëm, jo se do t’i shpëtonim, por qëlloi shumë keq për ta dhe familjet e tyre.

Nuk është problemi për të vënë roje, pasi nuk është plazh këtu që të ketë njeri, këtu nuk lahet njeri fare, thjesht ata kanë kanë ardhur, ose për peshk apo ku di unë. Janë larë në një vend ku nuk lahet njeri.

Një mesazh për të gjithë: Një njeri që nuk di not nuk duhet të futet në ujë, sidomos nëpër liqene, pasi liqenet janë shumë të rrezikshëm. Absolutisht jo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu