Projekti i shpalljes së Liqenit të Shkodrës si rajon biosferë ndërkufitare të UNESCO-s është drejt fazës finale të përgatitjes së dosjes së përbashkët mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Lajmin e dha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro teksa ndau në rrjetet sociale momente nga takimi i zhvilluar tek “inNature”, kubi i Agjencisë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura tek Piramida.

“U takuam përsëri për lajme të bukura kësaj here për t’u njohur me ecurinë e shpalljes së Liqenit të Shkodrës si Rajon Biosferë Ndërkufitare të UNESCO-s. Tashmë projekti ka hyrë në fazën finale të përgatitjes së dosjes së përbashkët të nominimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “përfshirja e Liqenit të Shkodrës në UNESCO, i njohur si një ekosistem me vlera të rralla, së bashku, me Vjosën që pret së shpejti të miratohet në UNESCO përmes programit “Njeriu dhe Biosfera”  fuqizojnë profilin e Shqipërisë në diplomacinë mjedisore, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe prodhojnë bashkëpunime në menaxhimin e qëndrueshëm të ekosistemeve të përbashkëta”.

Ky projekt synon të sjellë ndikim pozitiv për komunitetet vendase duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me Programin e UNESCO-s për Njeriun dhe Biosferën.

Nëse shpallet zonë e mbrojtur nga UNESCO, Liqeni i Shkodrës do të përfitojë standarde më të larta menaxhimi dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.

Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit.

Ky liqen është gjithashtu një nga zonat më të pasura në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë. Në Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë për vitin 2025, Liqeni i Shkodrës u rendit në vendin e dytë me 23 899 individë, për numrin e specieve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu