Ligji i partive politike në Shqipëri është ndër më të vjetrit dhe i pazbatueshëm në shumë pika të tij. Në këtë mënyrë Instituti Demokratik Amerikan dhe Instituti i Studimeve Politike kanë realizuar një studim se si mund të përpilohet reforma e ligjit për partitë politike, kjo edhe si një detyrim në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE. Në një takim të zhvilluar në universitetin e Shkodrës për nevojën e reformimit të ligjit të partive politike, Afrim Krasniqi drejtues i Institutit të Studimeve Politike thotë se kriteret bazë të forcave politike nuk përmbushen nga asnjëra prej tyre që lidhen me demokratizimin, programet si dhe financat e tyre….
Ana Kadoviç, drejtore e Institutit Demokratik Amerikan thotë se një shqetësim i përbashkët në reformimin e legjislacionit të partive politike është rritja e transparencës dhe llogaridhënies pasi besimi tek publiku për institucionet është në rënie….
“Misioni jonë është forcimi i partive politike dhe demokratizimi i tyre. Vitet e fundit një prej fokuseve tona ka qenë përmirësimi i proceseve elektorale dhe është një ndryshim që nuk vjen thjeshtë. Të bësh transparencën e financave të partive politike është një punë që kërkon shumë mund por ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që qytetarët të informohen se nga vijnë paratë e partive politike dhe si shpenzohen ato. Mënyra se si funksionojnë partitë politike përbën shtyllën dhe thelbin e një shoqërie demokratike. Një nga rolet kryesore të partive politike është të qenurit përgjegjës përballë qytetarëve, të mbajnë premtimet që japin gjatë fushatave elektorale. Zhvillimet politike në Shqipëri kanë qenë të vazhdueshme dhe që nga miratimi i ligjit të partive politike në 2001, ky ligj ka pësuar shumë ndryshime dhe është e rëndësishme të shikohen efektet që kanë dhënë këto lloj ndryshimesh. Ne e dimë se nga studime të shumta përsa i përket besimit që ka publiku në institucione kanë patur një tendencë në rënie dhe mendojmë se partitë politike e kanë për detyrë kryesore që të shërbejnë si një lloj ure lidhëse midis qytetarëve dhe proceseve demokratike dhe të kontribuojnë në forcimin e këtij besimi dhe pikërisht për këtë kemi bërë një studim për ligjin e partive politike dhe nevojës që ka për ndryshim për të diskutuar se cilat janë gjërat mund të përmirësohen dhe për të krijuar një kulturë të re politike që mund të bazohet tek besimi. Duhet të reflektojmë më shumë për ndryshimin e ligjit të partive politike me qëllim që t’i bëjmë partitë politike më demokratike dhe llogaridhënëse”.
Në takimin me student dhe pedagogë të universitetit “Luigj Gurakuqi” por edhe aktorë të tjerë u diskutuan se cilat janë pikat ku duhet të përmirësohet ligji për partitë politike i cili aktualisht është inekzistent.






