Jo vetëm për fëmijët e klasës së parë, por gjatë diktaturës komuniste kishte edhe abetare për të rritur. Ekspozita “Libra të një kohe tjetër” e çelur në vendin e dëshmisë dhe kujtesës në Shkodër, solli në syrin e nxënësve, mësuesve dhe vizitorëve, një pasqyrim të librave të sistemit arsimor në vendin tone gjatë atyre viteve. Regjimi, shkollat dhe tekstet i përdorte si mjete për propagande ku qendra dhe fokusi ishin partia dhe figura e diktatorit.
Veprimtaria edukuese e asaj kohe pasqyronte një realitet tërësisht ndryshe nga ai qe kemi sot. Ekspozita është një mundësi për nxënësit të krahasojnë shkollën e atëhershme me atë të ditëve të sotme.
Prof. Aleks Dushi ndau me to eksperiencën e tij si mësues i asaj kohe, duke i shpjeguar me detaje se si diktatura përdorte librat dhe materialet ndihmëse për të indoktrinuar fëmijët që në moshë të vogël.
Artikujt e prezantuar në këtë ekspozitë, janë pjesë e fondit të bibliotekës publike “Marin Barleti”, ku cdokush mund t’i aksesojë lirisht për qëllime studimore, e jo vetëm.