LEZET NË PUSHTET
Show i “Mjeshtrit të Madh” humoristit shkodran Sandër Ruçi në Teatrin “Migjeni”.
Edhe një javë na ndanë nga ky spektakël madhështor.
Me një talent të rrallë dhe me një performancë gjithnjë e më të ndritur, aktori i njohur shkodran, Sander Ruçi, asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet me qytetin e tij të lindjes.
Me talentin e tij të fuqishëm si aktor, regjisor, libretist dhe menaxher, ai përfaqësohet denjësisht para publikut artëdashës shkodran, duke dëshmuar e rrezatuar fuqishëm mesazhin frymëzues për gjithë miqtë e dashamirësit tanë se sa talente të shkëlqyer ka nxjerrë dhe vijon të nxjerrë nga gjiri i vet, të formojë dhe edukojë kombi i talentuar shqiptar.
Teatri “Migjeni” me dt.23 dhe 24 Nëntor do të jetë i tejmbushur me një publik të zgjedhur në Premieren Jubilare, e 15-ta e Sandër Ruçit, “Lezet në Pushtet”, për të treguar se talenti i tij nuk ka shterruar, përkundrazi me një buqetë skeçesh, parodish, monologjesh humoristike dhe satirike do të ngjitet në skenën e Teatrit “Migjeni”, duke sjellë një performancë që edhe nga ana regjisoriale do të ketë risi.
Do të jetë vërtetë diçka fantastike, pasi ndërthuret repertori i tij me humorin e problemeve aktuale, duke kurorëzuar 50 vjet jetë artistike në një stad brilant në këtë tempull të artit shkodran.
E them brilant sepse do të jetë vërtetë një natë e mrekullueshme dhe me një publik të mrekullueshëm, një vlerësim i madh që publiku i Shkodrës i bën gjithmonë Sandër Ruçit.
Shfaqja do të ketë nivel të lartë artistik, pasi do të përshkohet nga sinqeriteti dhe dashuria e madhe për djepin e kulturës ku u përkund edhe Sandri, në Teatrin “Migjeni”.
Rrjedhën e suksesit shfaqja do ta ketë edhe me emra të tjerë të njohur të humorit shkodran, së bashku me Sandrin, duke i lënë radhën më pas këngëtarëve të rinj.
Atmosferen e kësaj shfaqjeje Shkodra e përjeton rreth një muaj më parë, pasi “Mjeshtrii i Madh” Sandër Ruçi, ka kohë që përgatitet për t’i dhuruar qytetit të vet, artëdashësve të mrekullueshëm shkodranë këtë show që është i 15-ti në karrierën e tij artistike, pa lënë mënjanë me dhjetra, qindra, pse jo edhe mijra, aktivizime dhe role që ai ka pasur si pjesë e shfaqjeve dhe varieteve të organizuara nga Teatri “Migjeni” dhe trupa të tjera artistike.
Mund të themi pa ndrojtje që është një arritje në rradhë të parë personale, pasi ai është autori i materialit letrar, regjisori dhe aktori brilant që natyrisht është edhe boshti i shfaqjes.
Sandër Ruçi është një aktor dhe krijues që me karakterin e tij, zhdërvjellësinë, sigurinë aktoriale e mbi të gjitha talentin e tij ka një marrëdhënie komunikimi të habitshme dhe të pakrahasueshme me një tjetër, me publikun. Ai i bën për vete, i elektrizon dhe si të thuash, entuziazmon, e çon në këmbë edhe spektatorin më indiferent.
Salla për aq orë e minuta që zgjat shfaqja, shpërthen me duartrokitje dhe ovacione të shoqëruara me të qeshura të çiltra, ku mund të shprehemi shkodrançe “Kam qesh me lot”.
Është vërtetë bukur kur artistët vlerësohen për kontributin e punën e tyre. Ky është një tregues i vlerësimit të një karriere të gjatë, jo vetëm nga spektatorët si vlerësimi më i mirë, por edhe i institucioneve.
Nëntë vite më parë, në Maj të vitit 2014, pas shumë përpjekjesh i mora një intervistë aktorit Sandër Ruçi, të cilën po e publikoj me shumë kënaqsi.
Z.Sandër, kur keni filluar ëndrrën tuaj për t’u bërë aktor?
Në vitin 1974, legjendari, themeluesi i Estradës jo vetëm shkodrane, por edhe shqiptare Paulin Sekuj, më shikoi në NTLUS, ndërmarjen ku unë punoja dhe në vitin 1976 kam debutuar për herë të parë në premieren “Fllad pranvere”.
Roli i parë ka qenë i konferencierit, një skeç për kushtetutën, ku aktorët në atë kohë me forma të ndryshme vinin në skenë vitet dhe karakteret e kushtetutave të ndryshme, i cili kaloi me sukses dhe për 35 vjet me radhë kam qenë pjesë e estradës profesioniste.
Kam luajtur rreth 90 premiera, mbi 500 role në karrierë, mbi 40 premiera të vëna në skenë, mbi 6000 vargje të shkruar. Kam drejtuar për tre vjet emisionin humoristik “100 fjalë për nji pare”, Drejtor i TV Rozafa, etj.
Kam realizuar tetë recitale, kam bashkëpunime me të gjithë TV, kam mbi 5000 shfaqje. Gjithashtu kam shkruar librin “Kur të buzëqesh vargu”.
Në faqet e këtij libri aktorin, kupletistin, parodistin, do ta gjejmë të kompletuar edhe si autor, i cili për vite me radhë fitoi eksperiencë dhe vlera që i kalojnë caqet e qytetit të Shkodrës.
Duke lexuar këtë libër do të lundrosh një botë të madhe emocionesh, në një oqean dallgësh shpirtërore që autori nuk mundet dot t’i mbajë në shpirt dhe shpërthen plot vrull. Libri mbyllet me poezinë “Serenatë shkodrane”.
Sandër Ruçi është edhe autor i disa filmave me metrazh të shkurtër. Ka një aktivitet të gjërë artistik të shtrirë në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Itali dhe SHBA.
Në shtator 2005 është larguar nga Shqipëria.
“Me këtë background, për 20 minuta jam pranu me jetu në SHBA dhe me qenë sot qytetar i saj me pasaportë. Amerika është nana e madhe e të gjitha Kombeve të Botës dhe nana e dytë për mua”, shprehet me seriozitet dhe humor aktori Sandë Ruçi.
A udhëtoni shpesh për në Shqipëri?
Po, në Shqipëri vij shpesh. Në të gjithë Shqipërinë kam luajtur katër recitale, dy në Tiranë në Pallatin e Kongreseve dhe dy në Pallatin e Sportit.
Cilët janë elementët kryesore të suksesit në punën tuaj?
Përkushtimi, pasioni, predispozita për t’i shkuar deri në fund gjërave, ritmi bashkëkohor, kërkesa për të qenë sa më i freskët dhe i larmishëm. Mendimi me sjell gjithmonë të renë, respekti për vlerat e bashkëpunëtorëve, “me i dhënë hakun” që i takon të gjithëve, me respektu të bukurën, me i shtërngu dorën të aftit dhe me neveritë të pa aftin.
Jeni i respektuar në Shkodër?
Më shumë se sa e kam menduar.
Kolegë tuaj a respektohen e vlerësohen si e sa duhet?
Pyetja juaj z.Çeka është pak e thellë dhe mendoj se nuk më takon mua ta bëjë këtë vlerësim.
Cili është mendimi juaj për elementët e rinj?
Shumë kohë më përpara kam dalë haptas për këtë temë sepse kam përvojën e trupave amatore si një shkollë e madhe, një shkollë e fuqishme, por realiteti është i hidhur.
Kur keni kohë të lirë me se merreni?
Zakonisht fundjava është e lirë, por ka obligime familjare, janë detyrimet e shtetit etj. megjithatë ka vende e resurse sa të duash që janë mundësia më e përkryer ku mund të rrish me miq e shokë.
Këtë radhë çfarë ju bën përshtypje në Shkodër?
Është pyetje komplekse. Duke parë admirues masiv për të cilët nuk flas me superlativa, por ama nuk mundem me gjetë difekt. Shikoj njerëz të pashpresë, por kur shikoj njerëz të çiltër jam shumë mirënjohës.
Maj 2014.
“Mjeshtri i Madh” Sandër Ruçi rikthehet në skenë pas disa viteve mungesë, me një sukses të vertetë.
Me këtë rast, duke shprehur keqardhjen që nuk mundem të jem në sallë për ta ndjekur këtë Premierë, i shprehë mirënjohje për ftesen që më ka bërë para një muaji dhe nga Amerika i u uroj suksese në karrierën e tij artistike, duke e falenderuar për punën e palodhur dhe përkushtimin e madh që tregon herë pas here për publikun e mrekullueshëm shkodran, duke dhuruar humor brilant e bashkëkohor me nivel të lartë artistik.
Ramazan Çeka
Micihigan, Amerikë.
Nëntor 2022








