Jozefina Topalli do të rikthehet në shtator në parlament, pas një shkëputjeje 8 vjeçare. Pas një karriere të gjatë, përfshirë edhe postin e kryeparlamentares më jetëgjatë në 35 vite demokraci, Topallit iu ndërpre karriera parlamentare në vitin 2017 nga Lulzim Basha, asokohe kryetar i PD-së. Me rikthimin e Berishës në krye të partisë, edhe ajo rikthehet si ligjvënëse.
Bashkë me të, lideri demokrat ka sjellë përsëri në Kuvend 8 figura, të mënjanuar gjatë epokës së Bashës, mes të cilëve Gent Strazimiri, Igli Cara, Klevis Balliu dhe Ledina Alolli.
Mes demokratëve që rikthehen në Parlament janë edhe 3 ish deputetë që i dorëzuan mandatet për të kandiduar për kryetarë bashkie: Luçiano Boçi dhe Belind Kellici që i humbën betejat e tyre, dhe Bardh Spahia, që fitoi një gjysmë mandati, por e humbi betejën e fundit me Benet Becin.
Një tjetër deputet që rikthehet në radhët e opozitës, është Edmond Haxhinasto. Si ministër e deputet i LSI-së, dikur në koalicion me Edi Ramën, sot ai vjen në Kuvend si deputet i Elbasanit, pjesë e marrëveshjes Meta-Berisha, që e kandidoi Haxhinaston në listën e mbyllur dhe të sigurt të këtij qarku.
Pas një shkëputjeje 4-vjeçare, deputet do të jetë përsëri, Tom Doshi, socialisti i dikurshëm që sot drejton PSD-në me 3 vende në Parlament.
Doshi fitoi mandat edhe në vitin 2021, por u dorëhoq pas një presioni të madh diplomatik, teksa SHBA sapo e kishte shpallur “non grata” për korrupsion. Rikthimi në politikë i Sali Berishës që mban të njëjtën barrë, ka relaksuar edhe rikthimin e Doshit.