Gazetaria sportive në veçanti, por edhe sporti në përgjithsësi ka marrë një lajm të hidhur. Gazetari I njohur, Saimir Demi është ndarë nga jeta këtë të dielë në moshën 57 vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Prej më shumë se tre dekadash në gazetarinë sportive, Saimir Demi do të mbahet mend si një penë dhe zë kritik ndaj fenomeneve negative në sportin shqiptar, falë stilit në shkrimet e tij dhe batutave në panelet e emisioneve televizive.
Po ashtu, ka një kontribut në zhvillimin e gazetarisë sportive si themelues dhe drejtues i disa gazetave në vend.
Vitet e fundit ai ishte pjesë e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa prej disa muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila e detyroi të humbiste sfidën e madhe, atë të jetës.
Saimir Demi le pas bashkëshorten dhe djalin e tij, por edhe një karrierë të gjatë dhe të pasur në gazetarinë sportive shqiptare.