Projekti Smart City, synon rritjen e sigurisë rrugore dhe asaj publike përmes Inteligjencës Artificiale dhe instalimit të kamerave në rrugë, radarëve, kamerave të trupit për policët dhe sensorë të zhurmave. Kështu u shpreh zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari gjatë paraqitjes në komisionin për Politikën e Jashtme të projektligjit për “ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t, për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City”.

“Kjo kontratë huaje në aspektin e terminologjisë teknike dhe pjesës së negocimit është e mbuluar nga Ministria e Financave, por duke qenë se Ministria e Brendshme është përfituese fundore përmes Policisë së Shtetit që do të sigurojë të gjithë këtë mbështetje që arrin në vlerën 118.5 milionë dollarë, nga të cilat falë negociatave të bëra, është siguruar dhe si pjesë e kësaj huaje të kemi edhe 20 milionë dollarë grant”, u shpreh Lamallari. “Ky projekt është i një rëndësie jetike për vendin, rritjen e parametrave të sigurisë jo vetëm rrugore, por kemi edhe një koncept të zgjeruar të sigurisë publike, duke shkuar në shtrirjen e elementëve të sigurisë dhe përdorimin e inteligjencën artificiale përmes instalimit të radarëve, sensorëve të zhurmave, të kamerave të trupit, si në akset rrugore kombëtare, por edhe në mjedise me rëndësi dhe ekspozim të lartë publik, përfshirë dhe shkollat”, tha Lamallari.

Sipas zëvendësministrit të Brendshëm, “ky është një lajm i mirë për stafet mësimore, komunitetin e prindërve, studentët dhe nxënësit që do të përfitojnë nga shtimi i kamerave dhe informacionit inteligjent që grumbullohet falë Smart City, qytetit të zgjuar dhe do të përdoret për herë të parë në vendin tonë”. “Projekti do të përfshijë një fazë zbatimi prej 12 muajsh, pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe një fazë funksionimi dhe mirëmbajtjeje për një periudhe 48-mujore. Ky projektligj është me shumë rëndësi për vendin tonë, jo vetëm për sigurinë rrugore, dhe atë publike”, theksoi Lamallari.

Edhe deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi e mbështeti këtë projektligj që sipas tij është një lajm shumë i mirë për sigurinë publike.

“Garantimi i instrumenteve që e bëjnë më të aftë Policinë e Shtetit për të identifikuar shkeljet me natyrë administrative, por për të zbuluar në kohë më të shpejtë edhe ngjarje kriminale. 2239 kamera për njohjen automatike të targave, 2602 kamera për monitorimin e trafikut dhe shkeljeve, 3816 kamera trupi për policinë dhe 100 radarë inteligjentë dhe 100 sensorë zhurme për të monitoruar shpejtësinë dhe sigurinë e trafikut. Vetëm me këto mjafton për të bërë një qasje jo vetëm pranuese për projektin që vjen, por për ta votuar me entuziazëm këtë marrëveshje që vjen sot në Parlament”, tha ai.

Deputeti Vangjel Dule, shprehu një shqetësim në lidhje me faktin se ky projektligj, përtej sigurisë rrugore dhe publike, mund të cenojë sipas tij mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve. “Janë tunduese idetë e reja inteligjente dhe nuk do të ishte askush kundër që të ne të adoptonim praktikat më të avancuara. Jemi në epokën e luftës së të dhënave, ne kemi tentuar avancime përtej mundësive të mbrojtjes së të dhënave. Kemi parë bazën e të dhënave të shtetit tonë që ka dalë në publik, dhe jam i shqetësuar se ka shumë mundësi që të përsëritet ky fenomen edhe me bazat e reja të të dhënave që të krijojmë duke mos dhënë garanci që mbrojmë ato aktualet”, u shpreh Dule.

Projektligji u hodh për votim dhe u miratua me shumicë votash dhe vetëm një abstenim nga ana e deputetit Vangjel Dule.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu