Në zemër të Malësisë së Madhe, aty ku fjala burrërore dhe lahuta kanë qenë gjithmonë mbrojtëse të identitetit tonë, u zhvillua aktiviteti kulturor “Takimi i Lahutarëve Shqipfolës”, një mbrëmje që riktheu në skenë tingujt e shpirtit epik shqiptar.

Lahutarë nga të gjitha trojet ku flitet shqip, u bashkuan në këtë ngjarje për të ndarë me publikun pasurinë shpirtërore që bart ky instrument i lashtë, që për shekuj ka qenë zëri i historisë, trimërisë dhe qëndresës. Lahuta, me një tel të vetëm, por me një shpirt që flet sa një komb i tërë, ka qenë përherë më shumë se një instrument muzikor. Në Malësi, ajo është trashëguar nga brezi në brez, si një testament i gjallë i burrnisë, krenarisë dhe besës shqiptare. Ajo ka qenë në çdo odë burrash, në çdo kuvend dhe betim, duke kënduar për heroizma, legjenda dhe rrugëtimin e kombit tonë.

Mbrëmja u shndërrua në një udhëtim emocional mes vargjeve epike dhe zërit të lahutarëve, që risollën në jetë figura të mëdha të historisë dhe mitologjisë sonë. Pro keqardhja e tyre është se brezi i ri për fat të keq, pak po e trashëgon këtë traditë.

Ky aktivitet që vjen për të dytin vit në Bajzë të Malësisë së Madhe është një mesazh i qartë: ruajtja e lahutës është ruajtje e shpirtit kombëtar. Dhe Malësia, si gjithmonë, qëndron në ballë të kësaj trashëgimie, duke e ruajtur me krenari dhe përkushtim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu