Një skuadër që nuk del nga kriza dhe një tjetër që vazhdon të notojë në ujëra të turbullta. Laçi nuk i jep fund serisë së 6 ndeshjeve pa fitore duke arritur një barazim zhgënjyes 1-1 në shtëpi përballë Vllaznisë.
Ai që shënoi për skuadrën e Vukicevic ishte Adeleke në minutën e 53 të ndeshjes së komplikuar që e zhbllokoi pas një topi që përfundoi në këmbët e tij duke e shtyrë në rrjetën e shkodranëve. 1-0 për një fitore që nuk erdhi pasi Herald Marku barazoi shifrat pak më vonë ndërsa Çoba mund të kishte bërë më mirë në fundin e takimit.
Fitorja nuk vjen për bardhezinjtë që prej datës 20 gusht kur Laçi kalonte Teutën po në stadiumin kurbinas por shoqëruar ky barazim edhe me atë ndaj Tiranës, pak ndryshojnë gjërat për nënkampionët me vetëm 5 pikë në 8 javë. Në krahun tjetër, Vllaznia regjistron ndeshjen e tretë pa fitore çka do të thotë se skuadra e Mirel Josës duhet të bëjë llogaritë edhe me nervat e tendosura.