Aksioni për formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore, ka dhënë rezultatet e para brenda një kohe të shkurtër.

Në vetëm 12 ditë janë inspektuar 209 subjekte dhe janë bllokuar 76,1 tonë mallra që nuk përmbushnin standardet ligjore dhe të sigurisë ushqimore.

Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi sot rëndësinë e këtij operacioni për garantimin e një tregu të ndershëm dhe të sigurt për konsumatorët.

“Aksioni do të vijojë pa ndërprerje për të garantuar që çdo produkt që shitet në treg të jetë i sigurt, i gjurmueshëm dhe i pajisur me dokumentacionin përkatës”, u shpreh ministri Malaj.

Sipas tij, operacioni synon jo vetëm ndëshkimin e shkelësve të ligjit, por mbi të gjitha krijimin e një mjedisi të barabartë për fermerët dhe prodhuesit e ndershëm, të cilët shpesh përballen me konkurrencën e pandershme dhe informalitetin.

Objektivat e aksionit përfshijnë formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, rritjen e sigurisë ushqimore për konsumatorin, gjurmueshmërinë e produkteve nga ferma në tryezë, si dhe mbrojtjen e fermerëve dhe prodhuesve të ndershëm.

Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet do të intensifikohen në ditët në vijim në të gjithë territorin e vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu