Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka anuluar fjalimin e tij që do të mbante nga foltorja e Kuvendit, për shkak të kaosit të krijuar në sallë nga deputetët e opozitës.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i kërkoi disa herë Gazment Bardhit dhe deputetëve të opozitës që të uleshin në vendet e tyre që t’i jepnin mundësinë Presidentit të mbante fjalën e tij në parlament drejtuar qytetarëve të Shqipërisë.
Duke para mungesën e bashkëpunimit nga ana e deputetëve, Nikolla njoftoi se Presidenti nuk do të mbajë fjalën në Kuvend.
“Ndjesë Presidentit të Republikës, pasi për shkak të opozitës pamundësohet që të mbahet fjala e tij për qytetarët para Kuvendit të Republikës”, tha Nikolla.
Ndërkohë që Presidenca ka njoftuar se kreu i shtetit do ta mbajë fjalën e tij nga institucioni që ai drejton.
“Në pamundësi për të drejtuar mesazhin e tij në celje te sesioni parlamentar nga salla e Parlamentit, Presidenti i Republikës, Sh.do te jape kete mesazh per shqiptaret nga Presidenca ne oren 18.00. Jeni te ftuar ta ndiqni ne Presidence”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
OSBE ka reaguar pas nisjes së sesionit të ri parlamenatr. Ajo që u vu re, është se në ditën e parë të çeljes së punimeve, skenari i opozitës nuk kishte ndryshuar. Seanca zgjati vetëm 13 minuta për shkak të kaosit dhe Presidenti begaj nuk mundi të mbante fjalën e parashikuar për shkak se u pengua nga demokratët.
Në reagim, OSBE thotë se presin një parlament funksional dhe të fokusuar në reformat e nevojshme. “I urojmë sukses Kuvendit në nisje të sesionit të ri parlamentar! Presim me padurim ta shohim parlamentin, si platformën për debat politik, plotësisht funksional dhe të fokusuar te reformat e nevojshme, duke filluar nga ajo zgjedhore, në interes të qytetarëve. Koha deri në zgjedhjet e 2025-s është e shkurtër dhe mbetet shumë për të bërë”, thuhet në reagim.