Seanca e parë e legjislaturës XI-të e gjeti Kuvendin me të njëjtën tension politik. Partia Demokratike, tashmë edhe më e ‘rrudhur’, shkoi në Kuvend më të njëjtat akuza të vjetra, se zgjedhjet ishin farsë, por në sallë u kthyen me argumentin se do të mbrojnë interesin e qytetarëve. “Ky është një akt absolutisht me një mjedis legjitim dhe ky është një hap që ne bëjmë në një përpjekje më të fuqishme që opozita ka bërë ne ekzistencën e saj për çlirim e shqiptarëve nga narkodiktatura. Është parlament jolegjitim, ky është kuvendi i miliarda eurove të vjedhura shqiptarëve”, tha Sali Berisha për gazetarët. Socialistët për herë të parë u ulën edhe djathtas, pas fitores së thellë me 83 mandate. Seanca po ndiqet edhe nga diplomacitë e huaja. I pranishëm edhe Rama.
Seancën e sotme e drejton deputeti socialist Vasil Llajo, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan të marrin këtë detyrë si deputetët më të moshuar.
Berisha floli jashtë rendit të ditës dhe Llajo i mbyll fjalën
Ngrihet komision për verifikimin e mandateve, që të shqyrtojë dosjet e ardhura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite për t’u betuar një nga një.
Pas betimit, mazhoranca pritet të propozojë emrin e Niko Peleshit për kryetar të Kuvendit, siç u njoftua një ditë më parë nga kryesocialisti Edi Rama në Asamblenë e PS. Votimi do të bëhet me fletë dhe kuti votimi, ndërsa pas shpalljes së rezultatit Llajo i lë vendin kryetarit të ri, i cili do të mbajë edhe fjalën e tij të parë.
Në seancën e radhës, kryeministri Edi Rama do t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e qeverisë së re dhe programin qeverisës. Pas votëbesimit, kabineti i “Rama 4” do të shkojë për dekretim dhe betim tek presidenti Bajram Begaj.