Kryeministri Edi Rama ka rikthyer komunikimet e tij të drejtpërdrejta me ndjekësit në rrjetet sociale, përmes rubrikës “Sy m’Sy”, e cila u shfaq fillimisht gjatë fushatës së 11 majit. Në një ndër ndërhyrjet e tij, Rama ka dhënë një mesazh të fortë ndaj opozitës, duke paralajmëruar se nënvlerësimi i qytetarëve është një gabim me pasoja.
Komunikimi i plote:
Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjesi! Ju përshëndes të gjithëve, uroj të jeni mire!
Jemi në një në një moment të mirë reflektimi, kemi punuar dhe punojmë çdo ditë intensivisht për të projektuar në mënyrë tanimë të detajuar, në bazë të një kalendari hapash dhe punësh, mandatin e katërt, por ndërkohë ecim në mënyrë shumë intensive me negociatat. Kemi lajme të mira nga fronti i negociatave, urojmë dhe shpresojmë dhe besojmë së shpejti do të marrim lajmin e hapjes së një tjetri grup kapitujsh dhe sipas ambicies dhe planit, të hapim pastaj edhe grup kapitullin e fundit, në mënyrë që të kemi të gjithë grup kapitujt e hapur.
Ndërkohë, Samiti i Komunitetit Politik Europian ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm, fantastik do thosha pa bërë asnjë ekzagjerim, jehona e cilit në korridoret e politikës europiane vazhdon. Në ndërkohë, kemi filluar punën për samitin e NATO-s, në dukje ka kohë, por në fakt kjo është mënyra se si të punohet për samite të NATO-s, fillon puna dy vjet përpara dhe faktikisht pasi ka ardhur grupi i inspektimit nga qendra e NATO-s në Bruksel për të parë të gjitha opsionet dhe për të inventarizuar të gjitha kushtet dhe mundësitë e infrastrukturës së mikpritjes të logjistikës, e kështu me radhë topi është në fushën tonë për të shkuar përsëri në qendër me një masterplan të përgjithshëm të organizimit. Në ndërkohë, jemi në një diskutim më së fundmi për të sjellë në Tiranë, në Shqipëri 95% në Tiranë, sepse jemi duke diskutuar edhe Durrësin dhe Vlorën si opsione, edicionin Europian të Globe Soçer Awards, pra, të çmimit të globit të futbollit.
Është një eveniment i jashtëzakonshëm, i cili mbahet në mënyrë të përvitshme përsa i përket edicionit të vet global në Dubai dhe për emisionin europian, organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne këtu në Shqipëri. Kemi shumë arsye të besojmë që zgjedhja do të bjerë mbi ne, do të jetë fantastike që për shembull çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Global Soçer, Lamine Yamal, fjala vjen t’ia japim këtu në Tiranë.
Në ndërkohë po punojmë edhe me Padel International është një tjetër aktivitet i jashtëzakonshëm që ka një mbulim të jashtëzakonshëm mediatik në të gjithë botën, që është aktiviteti i Padelit, Padel International dhe po punojmë që të sjellim në Shqipëri një edicion të tij. Sigurisht që, këto janë aktivitete që do të ishin të paimagjinueshme, deri jo shumë vite më parë, që zhvilloheshin në vendin tonë dhe sigurisht që arsyeja pse tanimë vendi ynë mund t’i imagjinojë, po nga ana tjetër propozimet po na vijnë edhe vetë në një farë mënyre është, jo vetëm diçka kuptimplote, por është diçka shumë domethënëse dhe shumë e vlefshme për gjithë axhendën tonë të transformimit, për gjithë axhendën tonë të konsolidimit të pozicionit të ri, që Shqipëria ka marrë në arenën ndërkombëtare për të gjithë axhendën tonë të zhvillimit të turizmit të ekonomisë dhe për të gjithë axhendën tonë të rritjes së cilësisë dhe të volumit të investimeve të huaja në Shqipëri, ku kemi lajme shumë të mira, të cilat do t’i ndajmë hap pas hapi, ku edhe gjërat të marrin një formë më konkrete.
Por, jemi në diskutime me një sërë entitetesh të mëdha ndërkombëtare, edhe në fushën e zhvillimit ekonomik të turizmit të teknologjisë të Inteligjencës Artificiale dhe në ndërkohë për të kaluar nga diçka e përgjithshme, dhe nga këto gjërat e mëdha, tek diçka më modeste në dukje, por shumë domethënëse dhe shumë e nevojshme në jetën e përditshme të vendit, përsa i përket fëmijëve, përsa i përket më të rinjve dhe konkretisht, për sportin në shkolla, sikundër kemi folur edhe gjatë fushatës, do të shtrijmë aktivitetin sportiv në shkolla, do të kalojmë në disiplina të tjera, pasi kemi konsoliduar më së miri, volejbollin dhe basketbollin për femra dhe meshkuj në faktikisht të gjitha moshat e arsimit parauniversitar do të punojnë për të krijuar hapësira për talentet, për disiplinat e tjera.
Disiplinat e sportit individual nga sportet e mundjes apo të peshëngritjes tek shahu dhe duke kaluar edhe përmes gjimnastikës, për të cilën do të hapim një kapitull të ri, besoj së shpejti, falë bashkëpunimit me një star shqiptar, djali i ri, jashtëzakonisht pasionant, emigrant në Republikën Çeke, i cili së bashku me një grup, ku ka edhe shqiptarë të tjerë në dijeninë time zotëron klubin më prestigjioz të gjimnastikës në Republikën Çeke, klubi SKH, i cili është themeluar në vitin një 1984 ka një kompleks sportiv fantastik në qendër të Pragës, me palestrat e gjimnastikës dhe pikërisht sot, pas këtij komunikimi, ne do të kemi një diskutim më thelluar në zoom për të sjellë këtë palestër prestigjioze dhe të mirënjohur në të gjithë ish-Europën Lindore, ku edhe janë prodhuar gjimnastet kampionë dhe gjimnaste kampione të niveleve më të larta olimpike botërore në Tiranë, fillimisht në Tiranë, dhe për ta përdorur këtë palestër, si një fidanishte të kultivimit të talenteve në fushën e gjimnastikës, ku kemi shumë për të bërë, por edhe si një destinacion për të shtrirë sportin në shkollë edhe në një disiplinë të bukur, sfiduese por shumë ndihmëse për shëndetin dhe psikologjinë e fëmijëve, siç është gjimnastika.
Po ashtu, me Bashkinë e Tiranës do çojmë përpara një projekt transformimi të kompleksit sportiv tek Parku Olimpik, ku ka një masterplan zhvillimi, ku faktikisht kemi sot Federatën Shqiptare të Futbollit, kemi fusha të bukura të ndërtuara nga FSHF për ekipin tonë kombëtar. Kemi qendrën sportiv të lojërave me dorë, sallën “Feti Borova” dhe aty ku kemi aktualisht kompleksin e pishinave do të kemi një shtrirje të mëtejshme të planit me rikualifikimin e vet të pishinave dhe me elementë të tjerë ndihmës për ushtrimin e disiplinave sportive. Po ashtu, së shpejti do të nisë puna për dy komplekse të mëdha “Dua të luaj” në Fier dhe në Vlorë.
I përmend këto të dyja se janë dhe më të mëdhatë që kemi bërë deri më sot, kujtoj këtu kompleksin e bukur të Lezhës dhe të Beratit, i cili i ka kaluar dhe kufijtë e Shqipërisë në aspektin e shëmbëlltyrës urbanistike, që ka dhe është publikuar nga faqe prestigjioze të urbanistikës dhe të agro kulturës në rrjetet sociale jashtë vendit. Kështu që, me vazhdimin e punës për komplekset “Dua të luaj” do të rrisim hapësirat për fëmijët, do të rrisim hapësirat për më të rinjtë për të zhvilluar aktivitete fizike dhe për t’u socializuar rreth aktiviteteve fizike, një nevojë e madhe dhe e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve.
Fëmijët dhe rinia do të kenë një vend shumë të rëndësishëm në gjithë kalendarin e mandatit tonë të katërt dhe jam shumë optimist, që duke ecur paralelisht në të gjitha këto korsi për të cilat fola paksa do të kemi një buqetë goxha domethënëse arritjesh të tjera në zhvillimin e mëtejshëm dhe në evropianizimin dhe më në fund me integrimin e plotë të vendit në BE. Shpëtimi thotë “gjallë është ky?”. Po gjallë jam o Shpëtim. Luli a është i gjallë thuaj, se unë gjallë jam. Këtu kemi disa pyetje. Njeri më pyet, kam ndopak sedër se e kam lënë rrugëve. Nuk e di për çfarë është fjala.
- “O Ram nuk të kupton populli shqiptar ty”.
Më mirë dhe më shumë sesa mua më kupton populli shqiptar për hir të së vërtetës nuk mund të pretendohet dhe është arsyeja më bindëse dhe kuptimplotë e krenarisë për mua që pikërisht populli shqiptar më kupton më mirë dhe më shumë sesa ç’ mund të pretendoja, duke më inkurajuar, duke më mbështetur dhe duke më dhënë 1001 arsye që t’i qëndroj besnik edhe të bëj të pamundurën për të bërë sa më shumë për këtë vend dhe për njerëzit e këtij vendi, falë pikërisht besimit, mbështetjes dhe pushtetit që buron pikërisht nga ky popull, i cili jua kam thënë të gjithë atyre që e marrin lehtë, jua kam thënë të gjithë atyre, në të gjitha nivelet përfshirë dhe miqve këtu në rrjete sociale, që është një popull që “të jep ujë në bisht të lugës”, kështu që kush e merr lehtë bën një gabim shumë të madh. Shumë të madh.Bën një gabim aq monumental saqë mjafton të ndiqni të tjerë gjatë këtyre ditëve se në çfarë derexheje mendore janë katandisur për të kuptuar që çfarë të ndodh po e more lehtë këtë popull.
- “Si mund të aplikojmë për paketën e Maleve”?
Pyetje shumë me vend. Faktikisht kemi folur, jo më larg se dje në kabinet për një fushatë promocioni dhe një informimi të saktë për të gjithë zinxhirin e aplikimit, ashtu sikundër kemi lënë të organizojmë dhe një ditë intensive bashkëbisedimi me një grup protagonistësh të zhvillimit rural, fermer, grumbullues, agropërpunues, eksportues, po ashtu edhe akademikë për të pasur një proces dëgjimi të kujdesshëm të ideve, të sugjerimeve, të vërejtjeve, të opinioneve të tyre, në mënyrë që në projektin që kemi për mandatin e katërt për bujqësinë, zhvillimin rural të fshatit të marrim në konsideratë aspekte që vijnë drejtpërdrejtë, si nevoja praktike dhe si konstatime të jetës reale me njerëzit e tokës. Dhe po aty, do të kemi një pikë të diskutimit që do të lidhet dhe me pikërisht zhvillimin e mëtejshëm të agroturizmit, ku përfshihet patjetër dhe “Paketa e Maleve”. Më tutje, kam pasur disa pyetje në fakt për plazhet publike.
- “Çdo vit e më vështirë të bësh plazh në Shqipërinë tonë”.
Jo, në fakt e kundërta është e vërtetë. Çdo vit kemi ardhur, duke vënë më shumë disiplinë, duke krijuar më shumë hapësirë për të gjithë në sensin që plazhet nuk mund të jenë asnjëherë ekskluzivitet i atyre, që kanë mundësi apo duan që të shërbehen në hapësira të administruara privatisht dhe mbi të gjitha, plazhet duhet të ofrojnë mundësi për ata që duan të jenë tërësisht të lirë dhe tërësisht të pacënuar në të drejtën për të marrë kënaqësinë e tyre nga një aset public, duke shfrytëzuar hapësirën tërësisht publike dhe faktikisht plani që do të fillojë të zbatohet nga ky vit është tejet ambicioz dhe ka një ndryshim radikal nga vjet dhe ne jemi duke e ndjekur. Sapo ka filluar sepse nuk jemi akoma në momentet e pikut të sezonit. Kështu që rri i qetë. Do kesh në të gjithë vijën bregdetare hapësira për të bërë plazh pa pasur nevojë t’i kërkosh askujt asgjë, nëse do të qëndrosh thjesht dhe vetëm me veten, me kë të do zemra dhe me detin mbi kokë, e diellin përballë.
-Epo shyqyr, – thotë, – që u zgjove pas zgjedhjeve, se përditë këtë muhabet kishe. Fol pak për reformat që do bësh për njerëzit e thjeshtë, se njerëzit kanë ikur jashtë për një jetë më të mirë. Këto muhabete, unë mendoj që duhet t’i lëmë pas sepse janë muhabete që i kemi bërë dhe stërbërë. Përsa i përket zgjimit tim, rri i sigurtë që unë i zgjuar jam, në kuptimin rri zgjuar se kështu më takon në fakt, deri kur t’i bie të flesh dhe zgjohem përpara sesa t’i të zgjohesh dhe pikërisht sepse e ndjej që këtë detyrim kam. Pavarësisht që ti më ke votuar ose jo, unë jam këtu për tu shërbyer të gjithëve, edhe ty. Këtë mos ma ki fare merak. Nëse do ndonjëherë të më qash hallin, më qaj hallin që për periudha të tëra nuk më zë gjumi fare. Nuk të kërkoj të ma qash, por nëse do ti me zor të ma qash, hallin ma qaj për këtë pjesë.
Përsa i përket reformave për njerëzit e thjeshtë që mbajnë familjen, e vërteta është që të gjitha reformat, në fund të ditës, vetë qeveria dhe qeverisja janë për ta çuar ujin pikërisht në atë mulli, nëse mund ta them kështu. Dhe përsa i përket, njerëzit kanë ikur të gjithë jashtë, jo nuk kanë ikur të gjithë jashtë. Ka që kanë ikur jashtë, ka që kanë zgjedhur të qëndrojnë këtu. ka që sot po ikin, ka që sot po vijnë.
Jemi në një botë krejt tjetër nga ajo ku ishim, ku na kishin mbyllur në një bunker. Bota është gjithnjë e më e vogël. Është liria e secilit të lëvizë dhe askujt s’mund t’i themi pse po lëviz dhe pse po kërkon diçka tjetër, dhe pse po e kërkon tani dhe pse nuk po pret ta kesh këtu nesër. Të jemi shumë të qartë se u bëmë bajat me këtë diskutim të përsëritur në pafundësi.
-“Zoti Rama, kryeqyteti dhe banorët e tij kanë nevojë për parqe dhe jo për kulla futuriste. Tirana nuk ka kinema, nuk ka teatër, nuk ka muze, nuk ka cirk, nuk ka parkime Artan, Tirana ka kinema. Që ta fillojmë nga kinemaja, “Tirana nuk ka kinema”, jo Tirana ka kinema. Dakord, dhe nuk ka një, por ka disa kinema. Informohu, i gjen kollaj dhe shko shiko filma në kinema nëse ke dëshirë të shkosh në kinema, si fillim.
Tirana ka teatër, jo nuk ka, por ka teatër. Informohu dhe ke shfaqje teatrale që mund të shkosh dhe mund t’i ndjekësh, ndërkohë që po ndërtohet dhe teatri i ri kombëtar në Tiranë, aty ku ishte karakatina e vjetër e teatrit pseudo-kombëtar. Tirana ka muze, jo nuk ka. Tirana ka muze dhe ndërkohë jemi duke ndërtuar galeritë kombëtare, duke bërë shtesën e domosdoshme për galerinë kombëtare që do të jetë tërësisht e transformuar. Jemi duke rindërtuar Muzeun Kombëtar që do të jetë tërësisht i transformuar. Jemi duke punuar së bashku me bashkinë e Tiranës për një muze tjetër në Tiranë për etnografinë dhe artin islam, artin e periudhës islamike, artin islamik. Jemi duke punuar për muzeun Besa, po në Tiranë. Kështu që më duket se Tirana ka dhe muze dhe do të ketë dhe më shumë muze. Është në kantier Qendra e re e artit dhe kulturës bashkëkohore në Petrelë.
Jemi në dikutime për të marrë një muze të madh europian këtu në Tiranë, pra Tirana ka muze. Nuk ka cirk. Jo cirk nuk ka. Është e vërtetë. Ose me saktë ka një cirk, i cili ka nevojë të rikonceptohet e kështu më radhë. Parkime Tirana ka dhe do të ketë ende më shumë. Jemi duke punuar për parkime të reja, por Tirana ka një sërë parkimesh nëntokësore moderne, të cilat nuk i kishte më parë. Nuk e di pse ty të zë frymën Tirana, ndërkohë që të gjithë atyre që vizitojnë Tiranën, Tirana ju nxit fjalët më të mira. Tirana ka probleme, patjetër Tirana ka probleme sepse është një kryeqytet që zhvillohet ditë për ditë. Përsa i përket atyre miniparqeve që i doni dhe i kërkoni, është shumë e drejtë që i doni dhe i kërkoni, por kur shikoni që në ndonjë rast ndërtohet aty ku ju doni një minipark, kini parasysh që ka prona private. Janë të drejtat e pronarëve. Nuk është se ti sheh një hapësirë atje dhe po thua po hyjmë dhe e bëjmë, se ajo hapësira ka pronar. Ndërkohë që, jemi duke punuar me Bashkinë e Tiranës për një plan të ri të pastrimit të të gjitha hapësirave brenda lagjeve, nga të gjitha llojet e zaptimeve, duke filluar nga një zaptim i tmerrshëm dhe i patolerueshëm me trarë dhe me marrje dhe dhënie biletash për të parkuar makinën, sepse dikush thotë unë kam një pronë këtu. Nuk mund të kesh ti një pronë aty dhe ta përdorësh pronën si të duash duke i vënë traun qytetarëve që jetojnë në një bllok banimi. Pra, Tirana ka probleme, por Tirana nuk është për të thënë “deri kur kështu”. Tirana është për të thënë “sa më shumë kështu”. Dakord. Ju falenderoj shumë. Do të jemi përsëri në kontakt patjetër, dhe atyre që thoshin këto “Sy m’sy” i ke sa për sy e faqe e ti do zhdukesh dhe s’do të të shohim më me sy. Ja ku jam, sy m’sy dhe do vazhdojmë të qëndrojmë sy m’sy për të komunikuar gjëra që nuk ua komunikojnë kanalet dhe portalet që janë të zënë me probleme të tjera që ju nuk ju interesojnë, por ja që atyre ju pëlqejnë t’i sjellin vërdallë gojë më gojë dhe vesh më vesh, dhe për të komunikuar duke ju dhënë përgjigje për interesimet tuaja të natyrave të ndryshme.