Ballina Aktualitet Kush do të drejtojë Policinë e Shtetit? Nis gara për kryepolicin e...

Kush do të drejtojë Policinë e Shtetit? Nis gara për kryepolicin e ri, zbardhen emrat e “preferuar”!

Ka nisur zyrtarisht gara për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ministria e Brendshme hapi procesin më 3 mars, ndërsa afati për dorëzimin e aplikimeve nga oficerët e policisë që mbajnë gradën “drejtues” është deri më 11 mars. Aplikimet mund të dorëzohen përmes postës ose me email.

Megjithëse kanë kaluar vetëm pak ditë nga hapja e garës, në radhët e policisë dhe në qarqet politike kanë nisur të përfliten disa emra kandidatësh potencialë. Lista zyrtare e aplikantëve pritet të bëhet publike nga Ministria e Brendshme pas përfundimit të afatit të aplikimeve.

Pas largimit të Ilir Prodës, shumica qeverisëse duket se synon të ndryshojë profilin e drejtimit të policisë, duke preferuar një figurë më pak të kontestuar dhe me reputacion profesional më të qëndrueshëm.

Mes emrave që përmenden si kandidatë të mundshëm është edhe oficeri i karrierës Elidon Çela, aktualisht drejtor i Policisë së Vlorës. Më herët, Çela ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Tiranë. Ai konsiderohet si një nga oficerët me përvojë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit.

Në diskutime për postin e kryepolicit përmendet edhe Pëllumb Seferi, drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit që nga viti 2020. Ai vlerësohet për angazhimin në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe për rolin në forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë periudhës së drejtimit të këtij departamenti janë realizuar disa ekstradime të rëndësishme nga Dubai, duke shënuar një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe në luftën kundër krimit të organizuar.

Seferi mban gjithashtu edhe pozicionin e presidentit të Shoqatës së Studentëve Europianë që kanë përfunduar studimet në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është nderuar edhe me disa vlerësime ndërkombëtare për kontributin në bashkëpunimin policor.

Përveç këtyre dy emrave, në garë pritet të përfshihen edhe drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit, mes tyre Artion Duka, Arjan Muça dhe Ardian Çipa.

Pas përfundimit të procesit të konkurrimit dhe vlerësimit të kandidatëve, vendimi përfundimtar për emërimin e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit i takon kryeministrit Edi Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks