Deputeti i PD-së Kliti Hoti dhe kunati i tij, biznesmeni nën hetim Dorian Sadiku, janë emëruar konsuj nderi të Hungarisë dhe Portugalisë në Shqipëri me firmën e Olta Xhaçkës, pavarësisht dosjeve për kontrabandë, falsifikim ilaçesh dhe pastrim parash.

“Rrjeti mafioz i importit të barnave dhe monopolit farmaceutik ka depërtuar edhe në diplomacinë shqiptare.

Dorian Sadiku, ortak i ish-ministrit të burgosur Ilir Beqja, është Konsull Nderi i Portugalisë, ndërsa Kliti Hoti, deputet i PD-së dhe kunati i tij, është Konsull Nderi i Hungarisë.

Të dy janë nën hetim nga SPAK, por gëzojnë imunitet, pasaporta dhe makina diplomatike të dhëna nga qeveria shqiptare, që u lejojnë të lëvizin pa kontroll në kufi ndërsa drejtojnë rrjetin e kontrabandës farmaceutike në vend”.

Dy prej figurave më të përfolura në aferat e mafies farmaceutike, Dorian Sadiku dhe Kliti Hoti, rezultojnë të jenë pjesë e shërbimit diplomatik shqiptar, me status konsuj nderi, mandat, imunitet dhe privilegje diplomatike.
Ky është një skandal i shumëfishtë që tregon sesi krimi ekonomik dhe korrupsioni politik kanë depërtuar deri në diplomacinë e shtetit shqiptar.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Pamfleti”, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në maj dhe shtator 2022, me firmën e ish-ministres Olta Xhaçka, ka miratuar emërimin e Dorian Sadikut si Konsull Nderi i Portugalisë dhe Kliti Hotit si Konsull Nderi i Hungarisë në Shqipëri.

Vendime të firmosura në kundërshtim të plotë me rekomandimet e agjencive shtetërore anti-krim dhe anti-mafia, që i kishin skeduar të dy për aktivitet kontrabande, falsifikime dhe pastrim parash përmes kompanive farmaceutike.

Imunitet për mafien e ilaçeve

Të dy kunetërit kanë marrë status të plotë diplomatik, që përfshin:

– imunitet personal dhe gjyqësor,

– pasaporta diplomatike,

– makina me targa CD, që nuk kontrollohen në kufi.

Në kundërshtim me ligjin, që parashikon vetëm një automjet për çdo konsull nderi, Sadiku dhe Hoti kanë nga tre makina me targa diplomatike, të cilat përdoren për transport të mallrave dhe personave të rrjetit të tyre.
Sipas burimeve, ky status po përdoret për të importuar kontrabandë farmaceutike dhe substanca të ndaluara narkotike, nën mbrojtjen e imunitetit diplomatik.

Nga SPAK te Ministria e Jashtme; një lidhje e turpshme

Të dy janë nën hetim nga SPAK si pjesë e dosjes së ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, tashmë i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas dosjes së BKH, Sadiku është administratori i kompanisë “Delta Pharma”, që ka përfituar miliona euro nga tenderët e barnave përmes kontratave fiktive dhe faturave të rreme në bashkëpunim me kompaninë “Novartis” të Kliti Hotit.

Në të njëjtën kohë, “Delta Holding”, kompani në hije e grupit, është përdorur për qarkullim të parave të pista në tregun farmaceutik.

Por pavarësisht këtyre hetimeve, Olta Xhaçka i pajisi të dy me mandat konsujsh nderi, duke shpërfillur sinjalet e institucioneve të sigurisë që paralajmëronin për rrezikun që përfaqësonte aktiviteti i tyre.

Sipas burimeve diplomatike, kjo u bë me ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, që kërkonte të shpërblente bizneset që furnizojnë kompanitë e lidhura me familjen e tij politike dhe bashkëshortin e Xhaçkës.

Në fakt, ndër kompanitë që furnizohen me ilaçe të kontrabanduara nga “Delta Pharma” dhe “Novartis” janë edhe:

– “UniPharma”, ku bashkëshorti i Olta Xhaçkës zotëron 50% të aksioneve,

– “Mega Store” dhe “Medicamenta”, me kapital qarkullues mbi 1.5 milionë euro nga burime të padeklaruara.

Rrjeti që kontrollon tregun farmaceutik

Përveç funksioneve diplomatike, Dorian Sadiku është Kryetar i Unionit të Bizneseve Farmaceutike, ndërsa Kliti Hoti është Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Farmacive.

Kjo u jep atyre kontroll absolut mbi:

– Importin dhe shpërndarjen e barnave në treg,

– fiksimin e çmimeve,

– dhe monopolin e tenderëve publikë në sektorin farmaceutik.

Në praktikë, ata kanë ndërtuar një rrjet të mbyllur që kontrollon të gjitha hallkat e tregut: nga doganat te depot, nga farmacitë te institucionet shtetërore që miratojnë licencat.

Në krye të këtij rrjeti janë dy konsuj “nderi” me imunitet diplomatik dhe lidhje të drejtpërdrejta me kupolën politike të vendit.

Konsuj nderi apo konsuj të krimit?

Sipas ligjit për shërbimin diplomatik, konsujt e nderit duhet të jenë persona me integritet të lartë dhe pa përfshirje në aktivitete tregtare që përbëjnë konflikt interesi me shtetin shqiptar.

Por në rastin e Sadikut dhe Hotit, ky parim është shkelur që në momentin e dekretimit: të dy janë biznesmenë me interesa të drejtpërdrejta në fushën që mbulojnë dhe të përfshirë në hetime penale për korrupsion e pastrim parash.

Në një vend normal, kjo do të ishte mjaftueshme për të revokuar menjëherë statusin e tyre diplomatik dhe për të hapur një hetim penal për ata që i emëruan.

Por në Shqipëri, kunetërit e mafies farmaceutike janë kthyer në simbol të pushtetit që bashkon politikën, biznesin dhe diplomacinë në një rrjet të vetëm korrupsioni.

Kur Dorian Sadiku e Kliti Hoti përfaqësojnë Portugalinë e Hungarinë në Shqipëri, nuk është më diplomaci; është imunitet për mafien.

Ky rast tregon se në shtetin e Edi Ramës, korrupsioni nuk kufizohet në tenderë dhe biznese, por ka depërtuar deri në shërbimin diplomatik.

Në vend që të mbrojë interesin kombëtar, diplomacia shqiptare po mbron interesat e një rrjeti kriminal me pasaporta diplomatike. / Marrë nga “Pamfleti”  

Linku Pamfletit:

https://pamfleti.net/anti-mafia/kuneterit-e-mafies-farmaceutike-konsuj-nderi-me-pasaporta-diplomatike-i306314

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu