Kryeministri Edi Rama u detyrua t’u japë një “zgjim me alarm” bashkive të vendit, të cilat duket se prej kohësh janë bërë spektatore të kaosit urban dhe pushtimit të hapësirave publike. Me një ton ultimativ, Rama kërkoi lirimin e menjëhershëm të trotuareve, shesheve dhe çdo hapsire të zaptuar në mënyrë të paligjshme, një detyrë që në kushte normale do të duhej ta kryente administrata lokale, jo Kryeministria.

Deklarata e Ramës nuk është veçse një pasqyrë e dështimit të thellë të qeverisjes vendore. Aty ku qytetarët prisnin rregull, ligjshmëri dhe urbanistikë në shërbim të komunitetit, kanë marrë si përgjigje një terren të mbushur me kioska, lokale të improvizuara dhe struktura të ngritura në kundërshtim me çdo rregull.

Një shembull flagrant është Bashkia Shkodër, e cila duket se deri dje ishte në gjumë të thellë, ndërkohë që qyteti i saj transformohej në një labirint të paligjshmërisë urbane. Ku ishin strukturat e saj mbikëqyrëse? Ku ishin inspektoratet që duhet të parandalonin këtë situatë? Heshtja e bashkive është bërë bashkëfajtore me zaptuesit.

Por ndërsa urdhri i Ramës vjen si një akt i vonuar i ndërhyrjes shtetërore, lindin disa pyetje të domosdoshme:

🔸Çfarë do të ndodhë me ata që kanë paguar për të marrë leje shfrytëzimi, qoftë edhe përkohësisht, nga vetë bashkitë?

🔸A do të shpërblehen për investimet e bëra apo do të përballen me pasojat e një keqmenaxhimi për të cilin nuk janë ata fajtorët kryesorë?
🔸Dhe më e rëndësishmja: Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë kaos?

Në vend që të kërkojmë zgjidhje përmes kamerave dhe postimeve në rrjete sociale, qytetarët kërkojnë llogaridhënie institucionale. Bashkitë nuk janë thjesht zyra vulash e lejesh të diskutueshme; ato duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, të mbrojnë interesin publik dhe të ruajnë standardin urban të qyteteve. Ndërhyrja nga lart është simptomë e një sistemi të kapur nga paaftësia dhe apatia. Dhe nëse edhe tani pas këtij “zgjimi” nuk do të ketë ndëshkime dhe reforma të thella në nivel vendor, atëherë ky zë i fortë nga Tirana do të mbetet veçse një tjetër shfaqje për kamerat.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu