Në takimin me deputetët e parlamentit aktual dhe ata që priten të betohen në shtator, kryesocialsiti Edi Rama hodhi piketat e asaj çfarë do të ndodhë në javët në vazhdim.
Ai deklaroi se “Duhet të organizojmë disa mbledhje të mëdha pune, një apo dy ditore në Tiranë dhe jashtë Tiranës me grupet kyçe të interesit për suksesin e mandatit të katërt, ku të ulemi shumë shtruar dhe të përpiqemi të marrim vesh sa më shumë në mënyrë që të kuptojmë sa më shumë se sa dhe ku dhe si duhet të vet korrigjohemi me protagonistët e botës së inovacionit teknologjik, me fermerët dhe me agro përpunuesit, me përfaqësuesit në ndërmarrje prodhuese dhe me radhë. Nën udhëheqjen e drejtuesve politikë duhet të nisim menjëherë përgatitjen e hartave të veprimit për zhvillimin e qarqeve drejt Shqipërisë së 2030 si dhe duhet të nisim menjëherë paralelisht punën për zgjedhjet e ardhshme vendore”.
Një ditë pasi krye socialisti Edi Rama shpalosi nevojën e të bërit ndryshe në nivelin e udhëheqjes së partisë, të grupit parlamentar dhe të qeverisë, nuk ka humbur kohë, duke nisur organizimin e një takim informal të kabinetit qeverisës.
Burime të Top Channel, sugjerojnë se takimi mund të zhvillohet më 30 Maj në një qytet në jug të vendit.
Paraprakisht tregojnë të njëjtat burime takimi do të fokusohet në analizën e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e shkuara paçka se PS fitoi 83 mandate.
Sikurse do të kalojnë në skanerin e Ramës, performanca kabinetit aktual qeverisës.
Një pjesë e rëndësishme e takimit do ti kushtohet parlamentit të ri nga ku Rama do të vjelë mendime për strukturën drejtuese të komisioneve parlamentare të drejtuara nga ligjvënësit socialist.
Siç ka ndodhur pas çdo palë zgjedhje parlamentare nëse Rama do ta vijojë traditën, pritet mbajtja e një mbledhje e asamblesë kombëtare socialiste në dy javëshin e fundit të Gushtit.
Ky besohet të jetë momenti ku kryesocialisti mund të shpallë kabinetin qeverisës Rama 4, e për tu bërë gati për të marrë votëbesimin e parlamentit të ri i cili mblidhet me 8 Shtator.