Kryetari i Bashkisë Vau Dejës, Kristian Shkreli, ka përcjellë një mesazh urimi dhe vlerësimi për të gjithë mësuesit me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Përmes një reagimi publik, ai ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e tyre në edukimin dhe formimin e brezave të rinj, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm që kanë në shoqëri.
Statusi i plote:
Në këtë 7 Mars dua t’u shpreh nga zemra mirënjohjen time të gjithë mësuesve.
Respekt të veçantë për ata mësues që çdo ditë bëjnë më shumë se detyrën. Për ata që punojnë me fëmijët me aftësi ndryshe dhe u japin jo vetëm dije, por edhe durim, përkushtim e dashuri. Për mësuesit që çdo mëngjes marrin rrugën drejt fshatrave e zonave malore, shpesh në kushte të vështira, vetëm që asnjë fëmijë të mos mbetet pa shkollë.
Si Kryetar i Bashkisë Vau Dejës, ndihem krenar për punën dhe sakrificën tuaj. Ju nuk jepni vetëm mësim, por formoni breza dhe mbani gjallë shpresën në çdo familje.
Nga ana jonë, angazhimi për arsimin mbetet i vazhdueshëm. Kemi ndërhyrë në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, mes tyre rikonstruksioni i shkollës së Mjedës, ndërsa është në proces puna për shkollën e Bushatit dhe shumë ndërhyrje të tjera që do të vijojnë në të gjithë territorin e bashkisë.
Gëzuar 7 Marsin dhe faleminderit për gjithçka që bëni për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e vendit.






