Bashkia e Lezhës po përballet përditë me vatra zjarresh, të cilat sipas kryebashkiakut Pjerin Ndreu shkaktohen nga zjarrvënës me sjellje kriminale të dënueshme.
Ndreu ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna në terren për shuarjen e vatrave të zjarreve.
Sipas tij, “forcat e zjarrfikësve të bashkisë Lezhë çdo ditë përballen me 5-10 vatra zjarri”.
“Puna e tyre është në nivelin më të lartë të përkushtimit dhe përgjegjshmërisë! Por kush janë zjarrvënësit?! Pse duhet te sillemi kaq shëmtuar me pronën tonë?! Kujt i intereson kjo situatë?! Me dashje apo pa dashje, këto janë sjellje kriminale, të dënueshme”, u shpreh Ndreu.
Vendi po përballet gjithnjë e më shpesh me rrezikun në rritje të zjarreve gjatë sezonit të verës, ndërkohë që sipas autoriteteve shumica e zjarreve janë të qëllimshme ose nga pakujdesia. Ndaj apelohet për më shumë ndërgjegjësim qytetar dhe ndëshkime më të rrepta.