2024-ta mund të cilësohet një tjetër vit i errët për biznesin në Shkodër, ku rreth 220 biznese të vogla kanë falimentuar duke ulur qepenat. Kreu i BSPSH Shkodër, Albert Tuka, thotë se arsyet e falimentimit janë të shumta, përfshirë shpopullimin, rënien e fuqisë blerëse dhe rritjen e çmimeve. Sipas Tukës, papunësia ka arritur nivele të larta, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk ka miratuar politika fiskale të zbutura për të parandaluar falimentimin e bizneseve.
Tuka thekson se Shkodra vazhdon të mbetet rajoni më i varfër i Shqipërisë, dhe paralajmëron nisjen e protestave nga bizneset, që po përballen me vështirësi të shumta. Sipas tij, edhe në vitin 2025, bizneset në këtë rajon pritet të vazhdojnë të hasin probleme të mëdha.
Në një kohë kur ekonomia lokale po përballet me sfida të mëdha, kreu i BSPSH Shkodër kërkon ndërhyrjen urgjente të institucioneve për të mbështetur bizneset dhe për të parandaluar një rënie të mëtejshme ekonomike.