Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) përshëndet dhe mbështet hapat e ndërmarrë së fundmi nga Institucionet e Drejtësisë, si Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe Policia e Shtetit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për rritjen e vëmendjes dhe bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe forcimin e masave kundër krimeve zgjedhore, në vigjilje të zgjedhjeve të 11 majit 2025. Ngritja e grupeve të posaçme në prokuroritë vendore dhe krijimi i një strukture të veçantë në kuadër të SPAK për hetimin e veprave penale në zgjedhje konsiderohen hapa thelbësorë në luftën kundër deformimit të vullnetit të qytetarëve dhe për forcimin e demokracisë në vend. Këta hapa, në gjykimin e KRIIK, janë një pasqyrim i qartë i një vullneti institucional për të parandaluar dhe ndëshkuar krimet zgjedhore.
Në mënyrë të veçantë, KRIIK vlerëson hapat e ndërmarrë nga këto struktura për të bashkëpunuar ngushtë dhe në mënyrë proaktive për monitorimin, parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore. Takimet e fundit mes Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve z. Celibashi me Drejtuesin e SPAK z. Dumani dhe Prokurorin e Përgjithshëm z. Çela, si dhe takimi i Prokurorit të Përgjithshëm me Drejtuesin e Policisë së Shtetit z. Proda, nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit mes institucioneve, dhe të tjera veprimtari që kanë në thelb koordinimin dhe bashkëveprimin, janë shenja pozitive për një angazhimi institucional serioz, ligjor e të koordinuar.KRIIK ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme nevojën për një angazhim të fortë dhe të pavarur të Institucioneve të Pavarurara dhe në veçanti për një ndërveprim institucional mes KQZ-së dhe Institucioneve të Drejtësisë jo vetëm për parandalimin e ndëshkimin e praktikave të paligjshme në fushën e zgjedhjeve, por veçanërisht për t’i dhënë fund fenomenit të pandëshkueshmërisë që buron nga pushteti politik apo çdo lloj pushteti tjetër që shkel apo sfidon ligjin.
Vetëm një ndërveprim efektiv ndër-institucional mund të adresojë ndëshkimin përmbajtësisht të fenomeneve negative që cënojnë prej dekadash integritetin e zgjedhjeve në vend, të tilla si: blerja e votës, presioni mbi administratën publike apo prej kësaj të fundit ndaj zgjedhësve, keqpërdorimi i burimeve shtetërore, mungesa e transparencës dhe kontrollit ndaj financimit politik, shkeljet prej administratës zgjedhore e partive politike, etj., fenomene këto që dëmtojnë thelbësisht besimin e qytetarëve në sistemin demokratik dhe bien ndesh me standardet e një shoqërie të lirë e të një shteti ligjor funksional.
KRIIK, në vijim të angazhimit të pandërprerë të tij për adresimin e këtyre fenomeve dhe monitorimin e procesit zgjedhor, si dhe të mbështetjes në mirëfunksionimin e KQZ-së e të Institucioneve ligjzbatuese në luftën ndaj tyre, i dërgoi sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një rekomandim për plotësimin e kuadrit rregullator për garantimin e fshehtësisë së votës dhe të një mjedisi të lirë nga intimidimi, të qetë dhe të sigurt për zgjedhësit gjatë ditës së zgjedhjeve.
Ky akt, i domosdoshëm për tu miratuar si kërkesë e qartë e Kodit Zgjedhor dhe Rekomandimit parësor të ODIHR-it, në kushtet e ndërveprimit të KQZ-së me Policinë e Shtetit dhe Institucionet e Drejtësisë, do të mundësojë efektivisht largimin e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, ndalimin e mbajtjes shënim të votuesve, apo të të tjera teknikave të përdorura për të evidentuar zgjedhësit që votojnë ose jo, duke zhbërë patronazhimin politik të partive dhe të survejimit të tyre ndaj mënyrës se kur dhe si votojnë qytetarët.
Ndërkohë lidhur me zhvillimet aktuale lidhur me sa më sipër dhe në nisje të procesit zgjedhor 2025, KRIIK shpreh shqetësimin e tij për një deklarim të sotëm të Kryeministrit vendit, z. Edi Rama, i cili ka vënë në dyshim legjitimitetin e hetimeve mbi krimet zgjedhore, duke deklaruar se survejimi i partive politike në fushatë është i pajustifikuar.
Pa hyrë në atë se çfarë nënkupton Kryeministri i vendit me “survejim të partive politike në fushatë”, në gjykimin e KRIIK, kjo Deklaratë, në vijim edhe të deklarimeve të mëparshme që pas arrestimit të Kryebashkiakut të Tiranës, përbën një përpjekje të hapur për të ushtruar presion të drejtëpërdrejtë mbi Institucionet e Drejtësisë dhe delegjitimuar veprimtarinë dhe funksionalitetin e tyre, Institucione këto që kanë detyrimin kushtetues dhe ligjor për të hetuar çdo shkelje të ligjit që cënon integritetin e procesit zgjedhor, pavarësisht nga burimi apo autorët e saj.
Nga ana tjetër, edhe kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin z. Fatmir Xhafaj, në mbledhjen e djeshme të këtij Komisioni, ftoi ekspertët e Komisionit që drejton që të reflektojnë mbi ndryshime të mundshme për institucionet e pavarura në atë që ai e quajti “mekanizëm që kontrollon kontrollorin”, një mesazh tjetër intimidues ky dhe i paralajmëruar, në gjykimin e KRIIK.
KRIIK e sheh me vend dhe sjell në vëmendje të gjithë opinionit publik se zgjedhjet e lira dhe të ndershme në vend nuk mund të sigurohen në një klimë ku Maxhoranca Parlamentare dhe Ekzekutivi përpiqen të ndikojë, intimidojnë apo të kufizojnë veprimtarinë e organeve të pavarura të drejtësisë. Çdo përpjekje për të ndërhyrë në punën e institucioneve të drejtësisë apo të institucioneve të pavarura përfaqëson një kërcënim serioz ndaj shtetit të së drejtës dhe minon besimin e qytetarëve tek funksionimi i institucioneve dhe i një shteti ligjor.
KRIIK konsideron tepër të domosdoshme dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të angazhohen në mënyrë aktive në luftën ndaj krimit zgjedhor, duke investuar mekanizmat që institucionet kanë vendosur apo po vendosin në dispozicion të tyre për të denoncuar çdo shkelje që cënon integritetin e zgjedhjeve. Mediat dhe gazetarët nevojitet që të shtojnë vëmendjen e tyre dhe të raportojnë e t’i japin zë çdo shkeljeje apo rasti të dyshuar të një krimi zgjedhor.
Transparenca e plotë mbi ecurinë e procesit dhe mbi tërë situatën në cilin zhvillohet ai, si dhe bashkëpunimi i gjerë mes të gjithë aktorëve dhe Institucioneve janë elementë kyç për të garantuar që këto masa të mos mbeten vetëm në letër, por të shndërrohen në veprime konkrete nga organet kompetente.
Një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm kërkon një qasje të vendosur nga të gjitha Institucionet dhe një ndëshkim të qartë për ata që përpiqen të deformojnë vullnetin e qytetarëve, po aq sa edhe një angazhim të gjithë shoqërisë në refuzimin dhe denoncimin e tyre. Në përfundim të kësaj Deklarate, KRIIK u bën thirrje aktorëve ndërkombëtarë, në veçanti Partnerëve Strategjikë të vendit dhe përfaqësive diplomatike të vendeve europiane partnere të Shqipërisë, si dhe organizatave ndërkombëtare me ekspertizë dhe eksperiencë, që të mbështetin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Institucionet e Drejtësisë, si edhe Policinë e Shtetit në përmbushjen e detyrimeve ligjore të tyre për forcimin e integriteti të zgjedhjeve, duke u dhënë mbështetje publike përpjekjeve të tyre, si dhe duke u ofruar më tej asistencë teknike apo edhe financiare në mbështetje të veprimtarisë së tyre. Tiranë, më 20 Shkurt 2025!