Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin A. G., 22 vjeç, banues në Vaun e Dejës, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke bërë manovra me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit fizik, 22-vjeçarit iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin A. V., 37 vjeç, banues në Shkodër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin T. V., 42 vjeç, banues në Shkodër, pasi dje, me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin D. S., banues në Shkodër, dhe më pas është larguar me automjet.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-M. B., 75 vjeç, banues në fshatin Mjedë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur;
-F. M., 67 vjeç, banues në fshatin Zues, pasi duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar. Ai mori ndihmë mjekësore në spital dhe u largua në banesë;
-P. L., 66 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, pasi u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet pa targa;
-një 17-vjeçar, pasi u konstatua duke drejtuar një motomjet elektrik pa targa;
-A. K., 71 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet pa targa.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, për rastet e mëposhtme:
-dje, në aksin rrugor “Shkodër-Hani i Hotit”, shtetasi Gj. D., 21 vjeç, banues në fshatin Hot, duke drejtuar automjetin, dyshohet se gjatë një parakalimi të gabuar, ka humbur kontrollin dhesi pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Pas ekzaminimeve në Spitalin Rajonal Shkodër, ai është dërguar për shërbim më të specializuar në Spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut për jetën;
-dje, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, shtetasi R. P., 26 vjeç, banues në Fier, duke drejtuar mjetin kamionçinë, dyshohet se për shkak të mosruajtjes së distancës me automjetet e tjera, ka goditur automjetin që drejtohej nga shtetasi G. N., 71 vjeç, banues në Gramsh. Si pasojë janë dëmtuar lehtë drejtuesi i automjetit, shtetasi R. P., dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi K. P., të cilët kryen ekzaminimet në spital dhe u larguan në banesë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Gj. Z., 54 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi ka kallëzuar shtetasi A. D., 53 vjeç, se 54-vjeçari, nëpërmjet mashtrimit, ka shitur rreth 5 dynym tokë në fshatin Bushat, Vau i Dejës, pronë e kallëzuesit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. K., 74 vjeç, banues në Pulaj, pasi ka kallëzuar shtetasi K. P., 35 vjeç, banues në Itali, se 74-vjeçari po punon në tokën në pronësi të tij, në fshatin Pulaj.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu