Besimtarët e krishterë në mbarë vendin kanë kremtuar Pashkën, festa më e madhe dhe më e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen.
Me ndezjen e qirinjve që simbolizojnë dritën e përjetshme, besimtarët e krishterë nisën mbrëmjen e së shtunës festimet e Pashkëve. Në Shkodër, mesha e shenjtë u kremtua në katedralen e “Shën Shtjefnit” nga arqipeshkëvi imzot Giovanni Peragine, që për të janë të parët Pashkë si udhëheqës shpirtëror i katolikëve të veriut. Ai u kujdes të veçojë mesazhin që ka kjo festë në jetën e cdo besimtari të krishterë.
Pashkët konsiderohen si festa më e rëndësishme në kalendarin e krishterë, simbol i fitores mbi vdekjen, rilindjes dhe shpresës. Ato mbeten një moment i thellë reflektimi, por edhe një nxitje për të ndërtuar një botë më të drejtë, më njerëzore dhe më të mbushur me dashuri.