Në një kohë kur anëtarëve të KPK-së u mbeten vetëm disa muaj nga përfundimi i mandatit 6 vjeçar, numri i atyre që kanë mbetur per të kaluar filtrin e vettingut në shkallë të parë tashmë është i vogël.
Sipas satistikave që nga 18 shkurti i vitit 2018 i e deri në 31 korrik të vitit 2024, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë 783 vendime për gjyqtarët prokurorët dhe ndihmësit ligjorë, ndërkohë që mbeten për të kaluar këtë filtër në shkallën e parë edhe 17 subjekte.
Vettingun e kanë kaluar me sukses 358 magjistratë, nga të cilët 165 gjyqtarë, 163 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 26 ndihmës/këshilltarë ligjorë.
Ndërkohë që janë dhënë 261 vendime për shkarkim nga detyra për 145 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL, 110 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë. Procesi i vetingut është ndërprerë për 103 gjyqtarë e prokurore pas kërkesës së tyre me dorëheqjeje nga detyra, nga të cilët për 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ish- prokuror, 13 ndihmës ligjorë, 1 ish-inspektorë në KLD.
50 vendime janë për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar. Procesi i vetingut në KPK, i cili nisi rreth 6 vite më parë, u nda në tri faza ku dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, të konsideruar si elita e drejtësisë, që aspironin edhe për të qenë pjesë e drejtësisë së re, nuk e kaluan provimin e vetingut. Pasuritë e pajustifikuara dhe lidhjet me eksponentë të krimit të organizuar, ishin arsyet për shkarkimin e tyre nga detyra.
Gjatë fazës së parë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dolën në seancë dëgjimore emra të rëndësishëm të sistemit, siç ishin anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, institucione që në përfundim të procesit të rivlerësimit, dolën jashtë funksionit, për shkak të shkarkimit të anëtarëve.
Në fazën e dytë të procesit të rivlerësimit, KPK-ja vlerësoi kandidatët që synonin të ishin pjesë e SPAK-ut, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë si edhe drejtues të gjykatave dhe prokurorive në rrethe. Ndërsa ne fazën e tretë, përpara KPK-së kaluan të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e Apelit.
Deri në muajin dhjetor 2024 Komisioni i Pavarur i Kulifikimit duhet te ketë përfunduar të gjithë procesin, së bashku me zbardhjen e vendimeve për çdo subjekt ndërsa vettingu vijon në shkallen e dytë KPA anëtarët e te cilës kanë një mandat 9 vjeçar, deri në fund të vitit 2026.