KPA ka nxjerrë sot përfundimisht nga sistemi i drejtësisë prokuroren e Shkodrës Françeskina Lekani, duke vendosur lënien në fuqi të vendimit të shkarkimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që kishte konstatuar probleme me pasurinë dhe një situatë konflikti interesi të saj gjatë ushtrimit të detyrës.
Trupi gjykues i KPA-së i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë vendosi unanimisht lënien në fuqi të vendimit të KPK-së, të marrë më datë 6 dhjetor 2023.
Françeskina Lekani e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 si prokurore ushtarake dhe prej vitit 2004 punonte në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 9/2024, datë 12.03.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Françeskina Lekani kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 721, datë 06.12.2023.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 721, datë 06.12.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Françeskina Lekani”, thuhet në njoftimin e KPA-së.