I nderum Alfred,

Po i përgjigjem publikisht, shprehjes publike të ofendimit, që unë sipas jush kam bërë ndaj veprës tuaj , madje edhe ndaj jush.

Fillimisht ju falenderoj për konsideratën që shprehni dhe shpresoj të mos e keni humbur thjesht sepse unë nuk pëlqej veprën tuaj. Në atë vend, në këtë kontekst.

Unë pretendoj që nuk kam ofenduar askënd. As ju si autor i kësaj vepre, as qytetarët me strajca, të cilët unë nuk i përmend kund.

Postimin e kam bërë pa u interesuar për autorin, sepse ajo që kam shkruar nuk ka qëllim të vlerësojë artistikisht veprën tuaj. Përsa i përket strajcave, i referohet Admisnistratës Shëtitëse që drejton Bashkinë Shkodër sot dhe nuk shënjestron asnjë qytetar, por veç qasjen denigruese për shkodranët nga kjo administratë. Temë kjo, që nuk ka interes për këtë shkëmbim që po bëjmë.

Shkrirja e çelësit nuk është goditje ndaj veprës tuaj, për të cilën ju uroj shumë sukses, por për t’i dhënë një goditje qasjes identitet-shkatrruese që udhëheq vendimarrësit e qytetit tonë. Une nuk kam kompetencat të bëj vlerësime artistike.

Gjithsesi, nisur edhe nga ajo qe thoni, në përgjigjen tuaj ka disa elementë që e përforcojnë edhe më shumë mendimin tim.

E para, çelësi ndodhet aty sepse vendi për ku është projektuar nuk ishte i përshtatshëm. Një zgjedhje dytësore që siç e thoni edhe ju, nuk plotëson as përzgjedhjen tuaj prefernciale.

Së dyti, vendosja e çelësit u bë pa asnjë lloj konsultimi apo edhe më keq, pa miratim në Këshillin Bashkiak.

Unë shkruaj prej vitesh dhe është hera e parë që komentet janë në 90 % dakort me atë që kisha propozuar, përsa i përket rastit në fjalë.

Ajo pamje në hyrje të Shkodrës përceptohet si çelës vetëm nga dronët e Bashkisë. Këmbësorët apo shoferët shikojnë krejt diçka tjetër, duke ulur kështu edhe cilësitë e kësaj vepre që ju dhe çmimet që ka marrë na e thonë.

Un siç ju thashë nuk jam vlerësues arti, por i diplomuar në inxhinieri ndërtimi e më pas edhe në histori e shkenca sociale. Kam disa nocione që bien në kundërshtim me vendosjen e çelësit aty. Jo vetëm unë por edhe shumica e atyre që flasin rreth kësaj vepre, ajo, aty, i përçon mesazhin e zvarritjes, harresës, mbylljes, lëpirjes e deri tek impotenca. Ndoshta është vendi i gabuar.

Kishit publikuar edhe foto të çelësave të tjerë. Askund nuk më duken në ndonjë rotondo apo hyrje qyteti dhe ne disproporcion me atë që ka përreth.

Arti publik duhet të pasqyrojë shpirtin e vendit ku ngrihet, jo ta mohojë atë.

E majta që në ekzistencën e saj punon për zhdukjen e identitetit dhe këtë herë çelësi juaj u bë çelësi i kësaj filozofie.

Pra, nuk qëndron ofendimi ndaj jush në asnjë moment, as ndaj askujt, sepse emrin tuaj e mësova pasi bëra shkrimet e njëpasnjëshme, nga miq tonë të përbashkët. Kjo, sepse nuk është fusha ime dhe se kjo nuk është përcaktuese në qëndrimin tim. Qoftë emri i autorit, qofshin çmimet ndërkombëtare, e aq më pak konfirmimet e Ministrisë tonë të Kulturës, të një qeverie që ka denigruar Shkodrën në të gjitha rrafshet, duke e kthyer këtë qytet në një provincë, të cilës i vendosën edhe çelësin tuaj, që sipas qytetarëve të shumtë, ngjan i ndryshkur dhe i përdredhur. Pra i paaftë simbolikisht ta hapë më.

Për analizat që ju bëni, patjetër që ka vend për diskutim, por në një vend aq simbolik dhe në përmasa aq të mëdha, besoj që mendimi i qytetarëve të cilët i ofrohet ky çelës, duhet vlerësuar. Vepra duhet pëlqyer ose të paktën pranuar nga qytetarët, çka nuk ka qënë e nuk është rasti.

Me konsideratë për ju dhe gjuhën qytetare që përdorni, pavarësisht ndjenjës së ofendimit të pretenduar, ju uroj gjithë të mirat.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu