Administrata Tatimore pritet të angazhohet dhe të nisë punën për vitin e ri, duke përcaktuar sektorët ku do të jenë të pranishëm inspektorët tatimorë në terren, me qëllim luftimin e informalitetit në tregun e punës dhe rritjen e të ardhurave në arkën e shtetit.
“Nga ana tjetër, ngelet formalizimi i ekonomisë me një fokus të veçantë përsëri tek pagat, jo duke rritur numrin e kontrolleve, por duke rritur profesionalizmin, duke bërë më pak kontrolle por më të thelluara. Industria e ndërtimit, turizmi dhe disa sektorë të tjerë do të jenë prioritetet tona për kontrolle gjatë vitit të ardhshëm”, tha Ilir Binaj, Drejtor i Administratës Tatimore
Kreu i Tatimeve u ndal edhe tek paketa e re fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2026, duke thënë se janë duke u bërë ndarjet për të finalizuar projektligjet e reja të kësaj pakete dhe për të garantuar rregullsi gjatë operacioneve.
“Administrata Tatimore ka filluar një proces të brendshëm rishikimi për atë çfarë kemi bërë në 12 muajt e fundit dhe po përgatisim planin tonë operativ për vitin e ardhshëm. Zbatimi për vitin e ardhshëm është zbatimi i paketës fiskale, paqes fiskale, faljes së detyrimeve dhe rimbursimit të TVSH-së. Pra, vitin që vjen do të ketë rimbursim për shumë individë, qoftë për kompensimin për fëmijë. Gjithashtu bëhemi gati për zbatimin e skemës së kompensimit të TVSH-së për fermerët, apo rivlerësimin e banesave me 5%”, u shpreh Ilir Binaj.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë 10 muajve të parë të këtij viti janë mbledhur 405 miliardë lekë, duke reflektuar tregues pozitivë të performancës fiskale.






