Pasi takuan në zyrë dhe biseduan kokë më kokë me të, deputetët konservatorë britanikë nga Shkodra komentuan “Non Gratën” e Sali Berishës nga shteti i tyre, duke e quajtur një vendim jo të drejtë për sa kohë nuk ka një akuzë konkrete dhe prova të bëra publike. Andrew Rosindell, ministër për Marrëdhëniet me Jashtë, ritheksoi se PD është parti motër me Partinë Konservatore Britanike.

Andrew Rosindell: Njoh zotin Berisha prej më shumë se 30 vitesh dhe e kam vizituar në vitin 1996, kur ishte president i Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Demokratike. Partia Demokratike e Shqipërisë është një parti motër me Partinë Konservatore Britanike – janë miqtë dhe aleatët tanë. Do të doja t’i shihja ata të riktheheshin në pushtet në Shqipëri. Sa i përket kufizimeve për Dr. Berishën për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, ende nuk kam parë ndonjë provë që të justifikojë këtë vendim. Besoj se secili duhet të konsiderohet i pafajshëm derisa të provohet e kundërta. Nëse ka ndonjë akuzë, ajo duhet të bëhet e qartë për publikun dhe të mbështetet në prova konkrete. Përndryshe, është e vështirë ta shoh këtë si një vendim i drejtë”.

Ndërsa panë nga afër “Vëndin e Dëshmisë dhe Kujtesës”, një prej burgjeve famëkeqe të komunizmit në Shkodër, konservatorët britanikë kanë një qëndrim të tyrin edhe për politikën dhe zgjedhjet e 11 Majit.

“Ndodhem këtu për të vizituar një muze që përfaqëson disa nga krimet më të tmerrshme që kam dëgjuar ndonjëherë gjatë kohës sime në politikë. Ky është një vend që dikur u përdor për tortura, vrasje dhe trajtim çnjerëzor ndaj atyre që thjesht dëshironin të ishin të lirë – që dëshironin të praktikonin fenë e tyre dhe të jetonin në një shoqëri të hapur, por u mohua kjo e drejtë. Të dëshmoj një vend ku janë kryer krime kaq mizore nën regjimin komunist ka qenë një përvojë tepër prekëse. Është thelbësore që ta kuptojmë këtë histori, të mos e harrojmë dhe të mos lejojmë që dikush ta mohojë atë. E gjithë bota duhet ta dijë se në Shqipëri u kryen krime të tmerrshme gjatë sundimit komunist. Kjo është arsyeja pse ne, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në demokracitë e tjera anembanë botës, jemi të vendosur të luftojmë kundër çdo përpjekjeje për të imponuar sundimin totalitar. Historia na tregon se ku çon ky sundim – në shtypje, tortura dhe vrasje brutale, siç kemi parë edhe në Shqipëri. Së pari, dua të them qartë se e kundërshtoj komunizmin dhe nuk jam dakord me një qasje socialiste ndaj qeverisjes. Më duket shqetësuese që ndërsa shumica e vendeve e kanë lënë pas këtë ideologji, socializmi vazhdon të mbizotërojë në Shqipëri. Besoj se kjo është e dëmshme për popullin shqiptar, i cili meriton një të ardhme më të lirë dhe më demokratike. Kur vizitova Shqipërinë 29 vjet më parë, mendova se vendi ishte në rrugën e duhur drejt një demokracie të plotë perëndimore. Fatkeqësisht, sot nuk më duket se ky tranzicion ka ndodhur dhe mendoj se është i nevojshëm një ndryshim politik për t’u dhënë njerëzve shpresë për të ardhmen”.

Rosindell e cilësoi këtë vizitë, si pasqyra më e mirë se si ata mund të njiheshin me të shkuarën komuniste të vendit tonë dhe torturat ç’njerëzore që kaluan shqiptarët, që janë dëshmia më e mirë për të mos u përsëritur e shkuara. Delegacioni britanik u takua më pas me kryesinë e PD Shkodër, ku diskutuan mbi zhvillimet politike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu