Në vazhdën e punës shkencore që ka zhvilluar Qendra e Studimeve Albanologjike, përmbyll vitin 2022 me një aktivitet shkencor kushtuar figurës së Pjetër Budit që mund të vlerësohet një prej etërve të gjuhës shqipe në historinë e saj, sa të lashte aq edhe të veçantë.
Pjetër Budi (1566-1622) – prift, shkrimtar shqiptar nga Gur i Bardhë, Shqipëri.
Pjetër Budi është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të pupullit tonë. Për jetën veprimtarinë dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Edhe ato që dimë, i nxjerrim kryesisht nga thëniet e veta në librat që botoi, veçanërisht nga letra latinisht që i dërgoi më 1621, një kardinali të quajtur Gocadin. Kjo letër është një dokument me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën dhe personalitetin e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në atë kohë, dhe mbi të gjitha ajo është një program i plotë për organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit.
Në këtë letër Budi pas hyrjes bën edhe një autobiografi të shkurtër, nëpërmjet së cilës mësojmë diçka të sigurt për jetën e tij.
Pjetër Budi lindi në Guri i Bardhë, Mat, nga një familje e dëgjuar dhe e vjetër. Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkeve të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587, u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe me vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Në një letër të shkruar në shqip ai ankohet për varfërinë dhe mosdijeninë e popullit dhe shpreh keqardhjen e tij që këtu nuk ekzistojnë shkolla shqipe. Më pas vendoset në Romë. Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri ku emërohet peshkop i Sapës dhe i Sardës. Ai këmbëngulte që ceremonitë fetare të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare. Këta, duke shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit tonë, cenonin sedrën e shqiptarëve, mundoheshin t’i përçanin ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre për çlirim. Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622, organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë klerikë të huaj. Në dhjetor 1622, mbytet duke kaluar lumin Drin. Mendohet se vdekja e tij nuk ishte aksidentale; atë e shkaktuan qarqe antishqiptare, që shikonin tek Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirim nga zgjedha e huaj. Këtë e vërteton më së miri aktakuza me të cilën hidhet në gjyq personi që thuhet se e shkaktoi këtë vdekje dhe aktet e gjyqit përkatës. Në këtë mënyrë Budi është një nga martirët e parë të kulturës shqiptare.









