Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqajn dhe tetë zyrtarët e tjerë, të akuzuar për koncesionin e sterilizimit.
Ndaj Beqajt, rëndon vepra penale “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim. SPAK ka dërguar për gjykim pranë GJKKO-së ish-zëvendës/ministrin Klodian Rjepajn, i akuzuar për mashtrim, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.
Biznesmeni Ilir Rrapaj akuzohet për “Mashtrim”, i kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës rëndojnë ndaj ish-zyrtarëve të tjerë, Marsela Serjanit, Saimir Kadiut, Petref Mersinit, Arben Gjatës, Genc Burazerit dhe Naile Ajazit.
Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte Ministrinë e Bujqësisë.
Sipas Prokurorisë së Posaçe, është vërtetuar se Ish-zëvëndës/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare. Ai ka ndryshuar disa herë këto të dhëna financiare, deri në arritjen e atyre të miratuara nga Komisioni i Dhënies së Koncesionit. Në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që janë paraqitur Ministrisë së Financave.
Rjepaj, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncesionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja. Gjithashtu në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncesion/Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. Gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncesionit deri në firmosjen e kontratës koncesionare, i pandehuri Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht me te pandehurin Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues po të pandehurin Ilir Rrapaj.
Rjepaj, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim.
Për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për koncesionet, rezulton e provuar plotësisht, se ish Ministri i Shëndetësisë, i pandehuri Ilir Beqaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn, të parashikuara nga 248 -25, të Kodit Penal.
Po ashtu, SPAK ka vendosur të sekuestrojë 40 % të Shoqërisë “Sani Servicve” Sh.p.k.; Shoqërinë ‘Globalsher’ Sh.p.k. dhe asetet e saj, me ortak të vetëm të pandehurin Ilir Rapaj.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është kryer sekuestrimi i 40% të kuotave të shoqërisë “Sani Service” Sh.p.k.. Konkretisht, kuota që i përket subjektit tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues të pandehurin Ilir Rrapaj, si dhe është kryer sekuestrimi i 100% të kuotave të shoqërisë “Globalsher” sh.p.k., duke u bërë dhe shënimet përkatëse në Ekstraktin Historik të Regjistrit Tregtar, për shoqërinë e mësipërme.
Janë sekuestruar dhe llogaritë bankare të subjektit “Globalsher” sh.p.k., një llogari në shumën prej 285,412,48 Euro dhe një llogari me balancë prej 113,610.93 Lekë (llogari që gjendeshin në një bankë të nivelit të dytë).
Janë sekuestruar 13 (trembëdhjetë) automjete të shoqërisë ‘Globalsher’ sh.p.k., nga të cilat 3 të marra me qira dhe 9 në pronësi të kësaj shoqërie, si dhe një pasuri e paluajtshme apartament 2+1, në pronësi të shoqërisë “Globalsher” sh.p.k., në qytetin e Vlorës.