Kombëtarja shqiptare e futbollit do ketë pesë ditë kohë për të përgatitur sfidën kundër Serbisë, e cila luhet më 11 tetor në Leskovac dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Disa nga futbollistët kuqezi janë tanimë në Tiranë, ndërsa para trajnimit të parë që është sot në orën 16:00 pritet të mbërrijë edhe pjesa tjetër. Në prag të këtij dueli, që merr karakter jo vetëm sportiv, për vetë historinë mes serbëve dhe shqiptarëve, Qazim Laçi dhe Juljan Shehu folën para medieve. Dy mesfushorët e Kombëtares janë të vetëdijshëm se ëndrra për Botërorin 2026 kalon nga Serbia.

Juljan Shehu, futbollisti i Widzew Lodz tregoi se nuk duhet ta shohin këtë duel me presion.

“Si e ndjen këtë ndeshje, presionin dhe pikët që na duhen?

Ne jemi profesionistë, për ne presioni është normal. Ne do shkojmë atje për të marrë maksimumin e mundshëm. Si përjetohet kjo ndeshje larg presionit që mund të kishte në Beograd? Çfarë keni biseduar në këto orë që jeni grumbulluar?

Kjo nuk është një çështje që na takon ne. Për futbollistët duhet përqëndrim për të marrë tri pikët. Nuk kemi folur ende, pasi nuk janë të gjithë futbollistët e bashkuar. Paçka vendeit, ne do shkojmë për të marrë tri pikë.

Si po e prisni këtë ndeshje, a është një finale që na çon më pranë Botërorit?

Kjo ndeshje ka rëndësi shumë të madhe për ne, besoj se vendoset vazhdimësia e objektivit që kemi, Botërorin. Këtu mbetet ëndrra jonë.

Duket se i keni marrë vendin Ramadani, paçka se u afruar në ekip në mars. Keni folur me të?

Këtu jemi për të bërë më të mirën, se kush luan nga fillimi e vendos trajneri. Kemi marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin. Në Kombëtare kam sjellë më të mirën time, paçka taktikave”, tha Shehu.

Qazim Laçi, futbollisti i Rizespor në Turqi asistoi dy herë fundjavën që lamë pas. Për të dueli në Serbi është një finale dhe çelësi për sukses mbetet te përqëndrimi.

“Sa e vështirë është që në këtë duel të ruhet balanca profesionale me atë emocionale?

Do jetë një ndeshje shumë e vështirë, do vendos fatet tona. Ne jemi profesionista, jemi mësuar me presion në ekipet tona. Objektivi është për tri pikë, na duhet të shkojmë në Botëror. Ne e përgatisim këtë duel për tri pikë.

Dy asiste në fundjavë, si e sheh veten në këtë takim? Një asist i vyer për golin që na duhet…

Këtu e kemi detyrim të bëjmë më të mirën, përfaqësojmë kombin. Unë jap maksimumin dhe do e bëj gjithmonë. Shpresoj në një fitore në Serbi.

Si përjetohet një ndeshje e tillë në aspektin emocional?

Do ketë shumë emocione. Ne duhet të jemi të qetë, të përqëndrohemi dhe të shohim detajet, këtu do jetë kyçi për të marrë tri pikët.

Kush është çelësi i këtij dueli për tri pikë?

Nga ana jonë ndeshjet i shohim edhe nga kundërshtari, janë të fortë. Në Tiranë kundër Serbisë treguam se nuk kishim presion dhe treguam se mund të fitonim, paçka se dolëm 0-0. Ne na duhet përqëndrimi dhe detajet janë ato që do vendosim. Besoj se dy ekipet do jenë të mbyllura, por ne nga ana jonë do futemi për tri pikë.

Shanset për fitore?

Këto statistika do i lë për ju. Do jetë ndryshe tani, presim një duel të fortë. Ata luajnë në shtëpi, ne futemi për tri pikë, kështu përgatitemi”, tha Laçi.

Seanca e parë stërvitore e Kombëtares do mbahet këtë të hënë në orën 16:00 në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në Tiranë.

Veç anës historike, dueli në fushë merr një tjetër karakter pasi vendos shumë për fatet e Grupit K kualifikues të Kupës së Botës. Pas pesë sfidave të luajtura, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu