Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, raportoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes mbi nivelin e sigurisë në vend dhe rezultatet e arritura gjatë këtij viti.

Gjatë fjalës së saj, Koçiu theksoi se Shqipëria është sot një vend më i sigurt se kurrë, fakt që sipas saj vërtetohet nga raportet ndërkombëtare, rritja e numrit të turistëve dhe interesit të shtetasve të huaj për të investuar në vend.

Ajo nënvizoi se janë bërë përparime të ndjeshme në luftën kundër krimit të organizuar, konfiskimin e pasurive me burim kriminal dhe uljen e ndjeshme të krimeve të rënda dhe aksidenteve rrugore.

Koçiu: Shqipëria është një vend i sigurt, dhe kjo faktohet nga çdo raport ndërkombëtar. Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza. Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 94% zbulueshmëri për veprat penale. Në 20,19% të tyre janë zbardhur plotësisht. Janë konfiskuar dhe sekuestruar 65.5 milionë euro me burim nga kriminaliteti. Asnjë turist nuk është bërë viktimë e krimeve. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë. Sa i përket krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, kemi bërë progres të dukshëm. Komisioni Europian ka deklaruar se Shqipëria ka shënuar përparime në këtë drejtim.

Koçiu, bëri të ditur se në nëntëmujorin e parë të vitit janë zhvilluar 1,121 hetime për krime financiare dhe për trafikim të narkotikëve.

Sipas saj, nga SPAK janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro, të ardhura nga veprimtari kriminale, të cilat po përdoren për financimin e projekteve sociale.

Ministrja theksoi se zbulueshmëria e veprave penale ka qenë mbi 95%, ndërsa numri i vrasjeve me dashje është ulur ndjeshëm, duke kaluar nga mesatarisht dy në javë në një çdo dy javë. Koçiu nënvizoi se shpërbërja e grupeve kriminale ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e nivelit të krimeve të rënda.

Sa i përket fushës së narkotikëve, ministrja deklaroi se gjatë nëntëmujorit janë identifikuar dhe asgjësuar 195 mijë bimë narkotike, janë zbuluar 103 raste të trafikut dhe janë arrestuar 173 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari.

Koçiu: Në nëntëmujorin e parë të vitit, janë zhvilluar 1,121 hetime për krime financiare dhe për trafikim të narkotikëve. Nga SPAK janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro me burim nga kriminaliteti, të cilat po përdoren për financimin e projekteve sociale. Sa i përket rendit dhe sigurisë publike, në nëntë muaj zbulueshmëria e veprave penale ka qenë mbi 95%. Vrasjet me dashje janë reduktuar ndjeshëm, nga mesatarisht dy vrasje në javë, sot kemi një vrasje çdo dy javë. Shpërbërja e grupeve kriminale është një nga arsyet pse niveli i veprave të rënda penale është ulur ndjeshëm. Në fushën e narkotikëve, gjatë nëntëmujorit janë identifikuar dhe asgjësuar 195 mijë bimë narkotike, janë zbuluar 103 raste të trafikut dhe janë arrestuar 173 shtetas.

Në lidhje me sigurinë rrugore, ministrja Koçiu u shpreh se gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti është vërejtur një trend ulës i aksidenteve, duke theksuar se në vitin 2024 u regjistruan 155 viktima nga aksidentet rrugore, ndërsa këtë vit shifra është ulur me 17%. Ajo theksoi gjithashtu se për monopatinat elektrike janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente, çka tregon nevojën për rregulla më të qarta dhe zbatim më rigoroz të tyre në rrugë.

Koçiu: Sa i përket sigurisë rrugore, në nëntëmujorin e parë të këtij viti është vërejtur një trend ulës. Në vitin 2024 u regjistruan 155 jetë të humbura nga aksidentet rrugore, ndërsa këtë vit kemi një ulje me 17%. Për monopatinat elektrike, janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente gjatë nëntëmujorit, duke evidentuar nevojën për rregulla më të qarta dhe respektim më rigoroz të tyre në rrugë. Bashkëpunimet ndërkombëtare: 479 operacione, dyfishi i vitit 2024. 97 prej tyre me partnerët ndërkombëtarë. Janë ngritur 22 skuadra hetimore për krimin ekonomik, kibernetik dhe narkotikët. Numri i personave të kapur është rritur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu