Klodian Braho është drejtuesi i ri i SPAK që do të zëvendësojë në këtë pozicion Altin Dumanin, së cilit mandati i mbaron më 18 dhjetor. Pas 6 orësh mbledhje, KLP votoi me 7 vota pro Brahon si drejtues të SPAK.Xholi mori 3 vota dhe Gokaj 1.

Kush eshte Klodian Braho:

Klodian Braho është prokuror i SPAK. Ai u emërua në këtë institucion më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimi ose ndryshe siç quhet, procesi i vettingut.

Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.

Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.

vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.

Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë emërimit në SPAK.

Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.

Në mars të vitit 2023, Braho dha dorëheqje nga një pjesë e një dosjeje që kishte në hetim, në lidhje me çështjen e inceneratorëve, pas pretendimeve të ngritura nga palë të përfshira për mungesë transparence në veprimet procedurale.

Aktualisht, Klodian Braho vijon të ushtrojë funksionin si prokuror i posaçëm në SPAK.

Braho këtë hënë ka qenë kandidati i parë i paraqitur për kreun e SPAK.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu