Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka reaguar pas dekalratave të Edi Ramës ditën e sotme, i cili duke marrë në mbrojtje Erion Veliajn, tha se po abuzohet me pavarësinë në drejtësi. Për shefin e mazhorancës, vendimi i gjyqtarit Erion Bani për arrestimin e Veliajt është i ndikuar politikisht.
“Gjyqtarët, krahas shorteve, angazhohen për kërkesa të ngutshme dhe ngjarjeve që kanë nevojë të trajtohen përmes disa veprimeve të menjëhershme. Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast dhe ju informoj se gjyqtarë të tjerë nuk kanë pranuar, që t’i rrinte kërkesës për arrest, sepse gjyqtari mund ta zbusë masën e kërkuar nga prokurori, jo ta ashpërsojë. Ky (Erion Bani) caktoi arrest me burg (Erion Veliajn). Pra bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së në GJKKO, që s’e kanë asnjë problem ta shprehin në mjedisin tonë kënaqësinë e të marrit në dorë fatin e këtij apo atij”, ishte kjo deklarata e Ramës që nxiti reagimin e KLGJ.
Në reagim thuhet se persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik, me deklaratat e tyre kanë prekur figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Deklarata e KLGJ
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cënojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit.
Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë.