Këshilli i Qarkut Shkodër ka zhvilluar një proces inspektimi në gjashtë qendra sociale të rajonit, të cilat kanë aplikuar për mbështetje financiare. Këto qendra, të drejtuara kryesisht nga organizata që punojnë me persona me aftësi të kufizuara dhe shtresa të tjera të ndjeshme, u vizituan nga stafi i Këshillit për të vlerësuar nga afër punën që bëhet çdo ditë në shërbim të komunitetit. Inspektimi në terren synoi të shkojë përtej vlerësimit teknik të projekteve mbi letër, për të krijuar një panoramë reale të sfidave dhe nevojave të këtyre qendrave. Ndou bën me dije se qarku Shkodër angazhohet gjithashtu të kërkojë mbështetje shtesë për këto qendra, të cilat bëjnë një punë të vlerësueshme në komunitet.
Nga 6 qendra që kanë aplikuar, 3 janë projekte egzistuese dhe 3 aplikime të reja.
FJALA E PLOTE E NDOUT:
Kur kujdesi bëhet veprim, ndryshimi nuk është më vetëm një dëshirë, bëhet realitet i prekshëm. Kjo është filozofia që na udhëheq në punën tonë si institucion i Qarkut Shkodër, dhe që së fundmi u reflektua edhe në procesin e inspektimit që ndërmorëm në gjashtë qendra sociale të këtij qarku, të cilat kanë paraqitur aplikime për mbështetje financiare nga ana jonë.
Këto qendra, të drejtuara nga shoqata që punojnë me personat me aftësi të kufizuara dhe shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, janë modeli i gjallë i përkushtimit, profesionalizmit dhe solidaritetit. Tre prej projekteve janë iniciativa që vazhdojnë punën e mirë të viteve të mëparshme, ndërsa tre të tjera përfaqësojnë frymën e re të angazhimit në shërbim të komunitetit.
Në vend që të mjaftohemi me leximin teknik të projekteve mbi letër, bashkë me stafin e Këshillit të Qarkut morëm vendimin që të shkojmë përtej procedurës: të vizitojmë qendrat në terren, të takojmë stafin, përfituesit dhe vullnetarët, të kuptojmë realisht sfidat dhe të vlerësojmë nga afër impaktin e punës që bëhet çdo ditë.
Si Qark, jemi të vendosur të mos jemi një hallkë burokratike që pengon, por një derë e hapur për bashkëpunim dhe mundësi. Të gjitha projektet do t’i përcjellim me përgjegjësi dhe mbështetje të plotë pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera përkatëse. Por për ne kjo nuk mjafton. Jemi të angazhuar të kërkojmë edhe më shumë: tërheqje të donatorëve, bashkëpunime me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë, dhe mbështetje të qëndrueshme për këto qendra që çdo ditë bëjnë diferencën në jetën e qindra qytetarëve.
Sepse në thelb të çdo përpjekjeje që bëjmë, qëndron një e vërtetë e thjeshtë: askush nuk duhet të mbetet pas. Respekti, dashuria dhe përkujdesja për më të pambrojturit është ajo që na bën më njerëzorë, por edhe më të fortë si komunitet.