Me vargjet e poetit atdhetar Filip Shiroka, “Shko dallëndyshe”, këngëtari Gjergj Kaçinari rrëmbeu çmimin e parë të festivalit emblemë të Shkodrës, “Luleborë”, mbajtur në teatrin “Migjeni”. Juria profesioniste e përzgjodhi si këngën më të mirë nga 18 krijime që u prezantuan në edicionin e tetë të këtij festivali, risi për nga prurjet artistike dhe shtrirja gjeografike e artistëve pjesmarrës.
Çdo gjë e kënduar live me nje orkestër profesioniste dhe një punë disa mujore, që vjen si fryt i punës dhe pasionit për të mbajtur gjallë traditat që Shkodra ka patur ndër shekuj. Dueti i Ea Zogaj dhe Arseld Muça, dy më të vegjelit e festivalit që sollën një krijim kushtuar luftës në Palestinë mori cmimin “Simon Gjoni”.
Festivali “Luleborë” është një prej ngjarjeve më të rëndësishme artistike në Shkodër dhe Shqipëri, që 8 vite më parë u rikthye pas një pauze të gjatë.
