Në qytetin verior prej shekujsh ka jetuar një popull artist që çdo gjë e ka bërë këngë, domethënë e ka bërë të pavdekëshme. Tingull pas tingulli, në këngën qytetare shkodrane, është skalitur fizionomia më tipike e qytetit të lashtë. Ashtu si aparati i vjetër i fotografit atdhetar, Kel Marubi, edhe ajo ka fiksuar jetën e pasur historike e shoqërore të qytetit me rrugicat e ngushta e muret e larta bleruar me shermashek. Në këtë kuptim, ajo nuk është vetëm art e gëzim popullor, por edhe histori, kronikë, ditar, dashuri, trimëri, besnikëri, bashkësi zakonesh dhe psikologji kohërash.
Dëshiron të dish diçka për trimërinë në vite?
Ja ku ke trima të tillë si Oso Kuka, Bajram Curri, Dedë Gjo’ Luli, Dasho Shkreli, Bec Patani, Teofik Çanga e të tjerë.
Don të mësosh më shumë për qëndresën proverbiale të këtij qyteti?
Kujto vargjet që me dy rreshta thonë më shumë se çdo libër që mund të lexosh:
Mori Shkodër, moj mizore,
Pak na u duke e shumë na dole…
Kërkon të hulumtosh për jetën tragjike të kurbetlinjve të vjetër?
Atë mund ta gjesh të plotë me tërë dhëmbjen e saj vetëm në një strofë:
Tri ditë ymër kem
Në këtë tokë fallçore,
Edhe këto të mjera
Në kurbet na i more.
Don të rijetosh dëshpërimin shekullor të djemve kur u fejoheshin të dashurat e tyre me djem të tjerë?
Atëherë merrja këngës që e bën tepër fisnik dhe njëkohësisht madhështor këtë dëshpërim:
Për mue paska kenë kisme
Me kenë ti e tjera kujt…
Mos ke kuriozitet të dish emrat e vajzave që e kanë ngrysur vajzërinë pas dritareve me kafaz? Disa, si Gjylën e Nurijen i gjen aty në këngë, me emrat e tyre të vërtetë, pa e çarë kokën se çfarë thotë bota. Po të tjerat? Ah, të tjerat! Ato të gjitha janë të fshehura nën petale lulesh. Njërës ia ka marrë emrin një Vjollcë, tjetrës një Luleborë, e kështu me radhë emrat e tyre janë kthyer në trëndafila, zambakë, karajfilë me erë etj. Duke kaluar në kujtesë aq sa mund të mbash mend nga kënga qytetare shkodrane, të ngjan se çdo lule e kopshteve të qytetit nuk është vetëm një lule. Ajo është edhe një vajzë, së cilës ia ka fshehur me kujdes emrin nga fanatikët e kohërave.
2. Është e pamundur të përcaktosh ç’thellësi vitesh përshkon pentagrami i këngës qytetare shkodrane! Tregimet e ahengxhinjëve të vjetër të çojnë tutje tre shekujve të fundit. Ndoshta mosha e saj mund të gjëndet diku larg në moshën mijëra vjeçare të qytetit. Është vetë kënga shkodrane që të tërheq në këtë pandehmë. Kënga legjendë e kalasë së Shkodrës duhet të jetë shumë e vjetër, pavarësisht nga ndryshimet që mund të ketë pësuar gjatë shekujve, ashtu si edhe vetë kështjella:
Ç’po punojshin tre vllazën
Murin e qytetit – o…
Në përmbledhjën “Zana Popullore”, botuar në shtypshkronjën “Ora e Shkodrës” me 1933, tek përmbajtja e lëndës, mbledhësi Kasem Taipi, këtë këngë e ka shënuar kështu: “Kanga e Kalas së Shkodres në kohna të vjetra”. Po në kohra të vjetra. Madje unë do t’i shtoja: Në kohra shumë të vjetra.
Kënga shumë e njohur “Krisi Topi” vjen nga vitet e largëta njëmijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë. Ajo ka përshkuar shekujt që nga koha e autorit të saj Molla Hysen Dobraçi e deri tek interpretimi aq i madhërishëm i këngëtarëve bashkëkohorë Bik Ndoja e Shyqyri Alushi:
Krisi topi, gjëmoi deti
Thonë që doli Molla Begu…
Duke ndjekur gjurmët e lashtësisë së këngës qytetare shkodrane, vjen një kohë që më në fund takon, jo këngëtarë të veçuar, por grupe ahengëxhinjësh popullorë. Kjo gjë të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një traditë të lashtë të konsoliduar mirë, deri në atë pikë sa është arritur tek grupet artistike të këngës. Kjo padyshim flet për një fazë të organizuar mirë të këngës qytetare në Shkodër, për të cilën sigurisht janë dashur shekuj.
Grupi më i vjetër i ahengëxhinjëve që mbahet mend është ai i Mehmet Shllakut. Sipas të dhënave, kjo ndërmarrje e madhe artistike për kohën daton në vitin 1825. Këtë grup Mehmeti e krijoi me mjeshtra të tillë si vjolinistin Karlo Berati, këngëtarin Halil Tophana e humoristin Tuke Vasia. Përveç këtyre kishte edhe një dajrexhi e një me kavall. Ky grup dha shfaqje në kështjellë, i ftuar nga valiu. Të nesërmen, ndërsa grupi zbriste kodrën e Barbanës, mbi të cilën është ndërtuar kalaja, populli ishte mbledhur në shpatin verior të kodrës me qëllim që ta priste grupin me këngë. Humoristi i grupit, Tuke Vasia, me shakatë dhe bejtet e tij shpërndante hare duke kaluar përmes njerëzve të gëzuar…
Pas këtij grupi pasojnë grupe të tjerë instrumentistësh dhe këngëtarësh të vjetër që ruhen në kujtesën e popullit të Shkodrës, ndër të cilët më të mjohurit janë grupet e Kasem Xhurrit, Simon Marketës, Osos së Falltores, Jak Kakarriqit dhe Hilës së Files, Xhoxhit të Preçit, grupi i Shirokës e të tjerë. Grupin e Kasem Xhurrit e përbënin Marku i Krajanes – këngëtar, Kola i Qorres – violinist, Temo Dajria – dajrexhi. Te grupi i Simon Marketës këngëtar ishte Shtjefën Shahiri, violinist – Kolë Simoni dhe dajrexhi – Beqo Kavaja. Në grupin e Osos së Falltores këndonte Ndrekë Biruca (Prekula), Simon Shpori i binte dajres dhe Ndrekë Teneqja violinës. Jak Kakarriqi dhe Hila i Files, në grupin e tyre, njëri i binte violinës e tjetri këndonte, Manin e Zykos e kishin në saze dhe Simon Shporin në dajre. Këngëtarë ose instrumentistë si Simon Shpori kanë marrë pjesë në më shumë se një grup.
Xhoxhi i Preçit, në grupin e vet, udhëhiqte vetë në violinë ku ishte virtuoz dhe këngëtar kishte shumë të njohurin, Shtjefën Jakova.
Në vitet e para të shekullit njëzet edhe Kolë Gurashi formoi një grup ahengxhinjësh. Ai vetë luante në harmonikë, Nush Pali në saze, Filip Muzhani në violinë, Ejll Çeka në klarinetë dhe Hafiz Efendi Gogoli në dajre. Tashmë ahengxhinjët shkodranë u kishin shtuar veglave të tyre edhe harmonikën, të cilën për herë të parë e solli nga Venediku Cuku i Gjon Lalës më 1870.
Por shoqëri muzikore të kualifikuara formuan kompozitori Palokë Kurti dhe Frano Ndoja. Shoqëria “Daulla” e Palokë Kurtit kishte Shanin e Ndocit të Mark Hilës violinist. Ky grup ishte më i madhi i njohur gjer atëherë. Përveç vetë Palokës dhe Shanit, në të bënin pjesë edhe Gjovalin Anastasi, Gjon Jubani, Palokë Pjetri, Kolë Tafili, Zef Preka, Kolë Idromeno, Hila i Files, etj. Ky grup mblidhej në një dhomë të farmacisë së Shanit. Fryt i kësaj shoqërie janë mbi tridhjetë këngë qytetare shkodrane të kompozuara, të kënduara dhe të bëra popullore. Kurse Frano Ndoja, si mjeshtër i bandës muzikore të Bashkisë së Shkodrës, e drejtoi këtë formacion të madh muzikor me dinjitet profesional. Këngët më të njohura e më të bukura qytetare i vuri në partitura për çdo instrumentist. Në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe në fillimet e shekullit njëzet ai ishte aq i njohur në Shkodër sa Gjergj Fishta e bëri proverbial me sentencën: “Më ushtojnë veshët si daullet e Frano Ndojës”.
Kryesisht kënga qytetare shkodrane ishte atribut i zantçinjëve të talentuar. Në shekullin e XIX nga një dugajë këpucari të Pazarit të Vjetër jehonte zëri i fortë prej tenori i shegertit që punonte aty, Markut të Krajanes. Nga pijetorja në ballë të urës së Bunës gjithë ditën dëgjohej kënga melodioze e Simon Marketës. Ndoc Galigaçi rrobat kombëtare, me të cilat furnizonte tregun, i qepte nën tingujt e këngës së tij. Dhe kështu pothuajse të gjithë: Mani i Zykos ishte berber, Gjon Shahini dhe Shan Koleka – rrobaqepës, Xhoxhi i Preçit, Ndrekë Biruca, Nush Pali – këpuctarë etj. Puna dhe kënga i mbushnin së bashku të gjitha ditët. Punën për vete, këngën për brezat.
Edhe më vonë e njejta traditë. Para dritareve të rrobaqepësisë së Bik Ndojës e ndjeje veten si në një koncert. Të njëjtën ndjenjë mund të provoje edhe po të qëndroje në cepin e dyqanit ku shiste File Gjeloshi…
Shkodra, pra, ishte një qytet disi i çuditshëm, ku, nga të gjitha anët shpërthenin këngët. Prandaj nuk mbetej asgjë pa u ngritur në këngë. Jo vetëm evenimentet, por edhe detajet më të imëta të tyre. Në këpucarinë e Hasan Prezës ritmi i këngës dhe ritmi i çekiçit përbënin një harmoni jo të zakonshme.
Nga që kënga qytetare shkodrane ishte atribut i zanatçinjve të vjetër, shpesh edhe mjetet artistike të këngës frymëzoheshin nga zanati që kishte ai që bënte këngën. Ja vini re këtë këngë të këpuctarit Hasan Preza:
Po kush asht ai kundraxhia
Që ty masën ta ka marrë?
Ndërsa shoferi Adem Kastrati, duke veçuar burinë si gjënë më poetike të makinës së tij dhe njëkohësisht si mjet artistik për lajmërimin e së dashurës, e vë atë në një rol të tillë që të mbajë gjithë peshën emocionale të këngës:
Kur kalova andej pari
E burisë i rash’ tri herë…
Ndrekë Milla, që kishte kaluar shumë vite në Izmir, ku sixhade nga më të bukurat shtronin dhomat, këtë objekt me pamje lirike e përdorë me sukses në këngë. Ai i drejtohet vajzës:
Bama odën taze
Shtroje me sixhade,
Shumë nazet i paske…
Gjithashtu për një mjeshtër rrobash kombëtare nuk mund të kishte objekt artistik më të qëlluar se sa xhamadani i artë i mbërthyer me sumbulla. Madje sumbullat e zbërthyera në gjoksin e vajzës e vishnin këngën me një lirizëm të këndshëm:
Unë në kumbull, ti në kumbull,
Xhamadanin me një sumbull…
Krijimi i një kënge nga këngëtarët dhe kompozitorët e vjetër shkodranë lidhej, jo vetëm me profesionin e atij që e krijonte, por nganjëherë edhe me profesionin e babajt të vajzës për të cilën ngrihej kënga. Një vajzë e bukur e kohës, e cila quhej Marije, e kishte babain dentist dhe në Shkodër e thërrisnin Heqim Njala. Është pikërisht ky profesion që e frymëzon këngën, sepse tek Heqim Njala mund të shkoje për të parë Marijën me sebepin se të dhëmb dhëmballa:
Mua të mjerit m’dhëmb dhëmballa,
Vë në gojë një faculetë.
Hajde t’shkojmë te Heqim Njala
O m’jep bar, o m’thotë me hjekë…
3. Po të vështrosh këngët e dasmës shkodrane të habit fakti se këngëtarët e vjetër e kanë ndjekur me këngë çdo hap të nuses. Një hap i saj, një këngë:
Nusja në rrugë,
Karajfil në tubë.
Pastaj nusja hedh hapin e parë, me këmbën e djathtë, brenda avullisë dhe ndërsa ajo përshkon madhërisht oborrin kënga shpërthen:
Nusja në oborr
Si lulja n’shatorr…
Por dalëngadalë ajo fillon të ngjitë shkallët e shtëpisë e pas e ndjek kënga. Tani kënga duhet t’i përshtatet këtij gjesti plot solemnitet:
Nusja në shkallë
Drandofil i bardhë…
Ndërsa kur nusja është në derë të shtëpsë, së bashku me orizin që i hedhin mbi supe, shpërthen edhe kënga:
Nusja në derë,
Karajfil me erë…
Të një interesi të veçantë janë këngët e dasmës që shoqërojnë sofrën e shtruar për dasmorët. Ato fillojnë me këngën:
Mirëmbrama,
Mirëmbrama i zoti i shtpisë
A ke bukë,
A ke bukë o me na dhanë?
Sa ka deti,
Sa ka deti ujë e ranë,
Simitçitë,
Simitçitë i çoj në kambë…
Kur në sofër shtrohet pilafi fillon kënga e tij:
Urdhnoni zotni e merrni
Pilafin taim e keni,
Lugë pas luge ju ta çoni
Ma do zemra ta mbaroni.
Nga ato që sërvirën në sofër, në ditën e gëzuar të dasmës, kënga nuk le asgjë jashtë:
Kokërrmadh na duel japraku
Vjen bakllava sa çardaku
U shpërthye rrethi i tepsisë
Duhet çue me kallaisë
Paguen paret zoti shtpisë.
Dhe kur sofra është në të çuar, kënga e ahengxhinjëve e shoqëron, duke futur në punë edhe humorin e mprehtë shkodran:
Hangre mjaft e pive mjaft,
Hangre dashin me mushkni,
Pive venën me fuçi,
Hangre pitën me tepsi,
Nisu tash e shko në shtëpi.
Dasma ishte një spektakël i shkëlqyer. Ishte një paradë e vërtetë e këngës qytetare shkodrane. Ndodhte që në dasëm merrte pjesë si ahengxhi edhe i dashuri fatkeq i nuses, pa e ditur se kush ishte nusja. Ajo për të ishte një ditë e madhe hidhërimi. Padrejtësia shekullore ia kishte rrëmbyer të dashurën e zemrës, pa pyetur fare për ndjenjat e tij. Atëherë ai ngrinte krye në një mënyrë të veçantë. Bënte aty për aty një këngë dhe e këndonte me një mall aq të madh sa shastiste gjithë dasmën. Dëshpërimin e tij të pafund e kuptonte vetëm një njeri – nusja. Edhe pse e vrarë përfundimisht, dashuria e tyre e pastër hynte në këngë për t’u bërë e pavdekshme.
Pikërisht kështu ka lindur një nga perlat e këngës qytetare shkodrane: “Për mue paska kenë kismet “, të cilën kompozitori i vjetër Palokë Kurti e bëri dhe e këndoi aty për aty, nën një peshë të madhe dhimbjeje, kur pa se nusja, për të cilën kishin shkuar të bëjnë aheng, ishte e dashura e tij…
Por ndodhte ndonjëherë që kënga bënte mrekullinë e ralizimit të asaj që dukej krejt e pamundur. Kështu i ndodhi Alush Beqarit, i cili donte vajzën e Vezirit të Shkodrës. Ishin vitet njëzet të shekullit nëntëmbëdhjetë. Në darkën e përurimit të një fortifikimi të ri që kishte bërë Veziri ai duke shikuar vajzën e tij ia nisi këngës që kishte bërë për të:
Moj e vogla si florini
Përmbi hazna xhevahiri,
Përmbi pashallarë Veziri,
Shota moj zylyfe
Je mbi shoqet tuaja mori drit.
Dhe mrekullia ndodhi. Kur Veziri e mori vesht se ai (që e donte vajzën e tij dhe i drejtohej aq direkt e trimërisht në këngë, sa mund t’i ikte koka) ishte edhe vetë djalë i një pashai, dha bekimin e martesës.
Dasëm pa aheng nuk ka. Mjeshtrat e vjetër të ahengut shkodran thonë se ky aheng u pasurua në vite dhe në shekullin njëzet erdhi me afro 330 këngë.
Ahengu Shkodran fillon me “dymbëdhjetë mekame” dhe kalon nëpër shtatë tone apo pjesë. Atë duhej ta zotroje kështu, ndryshe mjeshtrat e tij thoshin: “S’din me ba aheng”.
4. Këngëtarët dhe krijuesit e këngës qytetare shkodrane ishin njerëzit më të dashur dhe më të respektuar të popullit. Ditën e vdekjes së kompozitorit popullor Palokë Kurti, në shenjë mirënjohjeje, u mbyll pazari i madh dhe të gjitha dyqanet e qytetit. Shkodra shpalli ditë zije. E përcolli krijuesin më të spikatur dhe më të kulturuar të këngës me qepena të ulura dhe me derën e madhe të Bezistenit të mbyllur. Dhimbja për njeriun që këndoi gëzimet dhe dertet e popullit ishte një dhimbje e madhe e shprehur me tërë madhështinë e saj të zymtë…
Ishte viti 1920. Karrocës – katafalk, me trupin e Palokë Kurtit, i vente pas një Shkodër e tërë e pikëlluar. Ai po ikte, por Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë po i linte një repertor këngësh të pavdekshme.
Dashuria e popullit për këngëtarët e njohur që i gëzonin jetën e tij shprehej kudo e në çdo gjë. Ai ishte i gatshëm t’ua plotësonte atyre edhe ndonjë trill që janë të zakonshëm tek njerëzit e talentuar. Kolë Vjerdha, autori i këngës: “Kur më shkon si zog n’hava” kishte një trill. Meqenëse atëherë shteti u vinte numra biçikletave të qytetarëve, Kola donte me çdo kusht që numrin “1” ta mbante gjithmonë biçikleta e tij. Ndaj, sa herë që ndrroheshin numrat e biçikletave, numri “1” hiqej në një anë dhe i ruhej këngëtarit. Ndarja fillonte nga numri “2”.
5. Kënga zbukuronte jetën me aq sa mund të zbukurohesh një jetë e tillë e rëndë e plot halle. Ajo frymëzohej nga jeta dhe i shërbente asaj, frymëzohej nga të gjitha bukuritë, duke filluar nga bukuritë e natyrës e bukuritë e vajzave. Hila i Files, i mahnitur nga bukuria e një vajze italiane që takoi në rrugë dhe që Shkodra e quente Vitorja e Venedikut, aty për aty bëri këngën “Kur çohën rosat prej lumit”.
Edhe drejt vdekjes këngëtarët e vjetër shkodranë shkonin me këngë në gojë. Optimizmi dhe dashuria për jetën e asgjësonin në mënyrë të habitëshme aktin tragjik të kalimit në jetën e përtej varrit. Në vitin 1900, Marku i Krajanes, në shtratin e vdekjes bëri këngën: “Sillet moti për së mbari”. Ai nuk deshi të ikë nga kjo botë pa i lënë popullit të tij që e deshi aq shumë një këngë plot optimizëm. Vdekja po e pushtonte ngadalë, e ftohtë dhe e verdhë, por ai shpejtonte ta sfidonte atë dhe pranverën që kishte në zemër ta vendoste në këngë si trashëgim për brezat që do të vinin. Vdiq me dy-tre zymbyla në dorë, që ia solli e shoqja nga kopshti, dhe me vargjet e këngës në gojë:
Sillet moti për së mbari,
Çelin vjollca e zymbyla,
Se na erdhi prapë behari,
Bahçet mbushën me bylbyla.
Vdekja erdhi, por se mori dot pa mbaruar këngën… Shtërngoi zymbylat në dorë dhe vargjet e fundit në buzë… Një vdekje kaq madhështore s’besoj ta ketë pasur asnjë mbret.
6. Kënga qytetare shkodrane është dallëndyshja e parë e këngës shqiptare, që u përhap në të gjitha hapësirat e vendit, duke pushtuar shpirtërat. Ajo shumë herë i kaloi edhe kufijtë e shtetit, për t’u bërë e njohur dhe e duartrokitur edhe në Europë. Ndërsa shekulli XIX po i afrohej fundit të vet plot rrëmujë e luftra, më 1885 këngëtarin e njohur shkodran, Ndoc Galigaçin, e ftuan për të kënduar në teatrin “Scala” të Milanos. Kjo ishte një krenari jo vetëm për këngëtarin dhe qytetin që e lindi, por edhe për gjithë kombin shqiptar, të cilin, Fuqitë e Mëdha përgatiteshin ta copëtonin tragjikisht.
Ndoc Galigaçi këngët e tij i kishte bërë për të kënaqur bashkëqytetarët e vet nepër dasma e gëzime dhe kurrë nuk i kishte vajtur mendja se kënga e tij mund të fluturonte aq larg, sa të kalonte edhe detin. Mendja e këngëtarëve të atëhershëm nuk mund të përfshinte hapësira të tilla. Ndoshta për ta e gjithë bota ishte qyteti i tyre. Një botë tepër e vogël, por që ata e donin shumë dhe për modestinë e tyre ishte e mjaftueshme. Një episod mallëngjyes me Isuf Myzyrin, autorin e famshëm të shumicës së këngëve qytetare të Elbasanit, e nënvizon në mënyrë të thjeshtë, por tepër madhështore modestinë e skajshme të këngëtarëve të vjetër. Ishte viti 1955. Në mos gabohem vetëm një vit para se gjeniu i këngës popullore të Elbasanit të mbyllte sytë përgjithmonë duke i lënë popullit shpirtin e tij të madh në këngë. Një grup prej 4-5 shkodranësh shkonin për një çështje pune në Elbasan. Njëri nga ata, me të cilin kisha lidhje familjare, më mori edhe mua si fëmijë për të parë Elbasanin. “Për të parë botë me sy”, siç më tha ai. Meqenëse ishte verë, në mbrëmje, grupi ynë i vogël u ul në një bar-lulishte të vogël, të cilës tashti nuk i mbaj mend as emrin, as pozicionin ku ndodhej. Kur pija filloi të bënte të vetën, grupi ynë i vogël nisi këngën. Duhet thënë se është zor të gjesh shkodran që kur shtrohet tryeza nuk di të këndojë e të bëjë humor. Ndaj, më kujtohet, që atë natë të largët të viteve pesëdhjetë grupi ynë i vogël e bëri fora në Elbasan me këngë qytetare shkodrane. Një plak i hajthëm dhe i veshur në mënyrë karakteristike, që rrinte i vetëm në tryezën përballë, vura re se e shoqëronte këngën tonë me lëvizjet e trupit të tij të lodhur, por të shkathët. Ai më bëri me shenjë mua që e vështroja disi i hutuar. Ndofta ngaqë ngjyra e bardhë që mbizotëronte në veshjen e tij më ngjalli ndjenjën e qefinit. Unë iu afrova me frikë, por ai më ledhatoi me dorën e tij të rreshkur dhe më fali tri hudhra për t’ia dhuruar grupit. Dhurata kaq modeste e plakut zemërbardhë duket se e obligoi grupin që t’i linte njëherë këngët shkodrane dhe t’ia merrte elbasançe. Kënga “S’paske pasë një pikë mëshire” çau natën e Elbasanit dhe u përhap në sokakë. Se si më shkuan sytë tek plaku dhe, për çudinë time, pashë se po fshinte lotët… Ai po qan – thashë unë – por të gjithë i kishte rrëmbyer kënga dhe askush s’më dëgjoi.
Kur mbaroi kënga, plaku u çua i përlotur dhe erdhi për të na takuar gotat.
– Qofshi jetë gjatë! – uroi ai. – Nuk kam menduar se këngët e mia kanë arritur deri në Shkodër.
– Pse, kush jeni ju? – pyeti njëri nga grupi ynë.
– Kam qenë dikur Isuf Myzyri, sepse tashti, siç e shihni, pothuajse nuk jam – tha plaku dhe sytë iu përlotën përsëri.
Humori që bëri i afërmi im se po më merrte në Elbasan “për të parë botë me sy” tani, për mua, nuk është më humor. Unë vërtetë “pashë botë me sy “, sepse takova të madhin Isuf Myzyri, i cili në kujtesën time ka mbetur si një legjendë e bardhë. Por tjetër gjë desha të them me këtë episod të paharruar të njërës nga netët më të çmuara të jetës sime. Desha të them se as i madhi Isuf Myzyri nuk kishte menduar se këngët e tij mund të bëheshin të dashura deri në Shkodër. Pra duhet të ketë qenë një nder i madh dhe njëkohësisht një e papritur e madhe për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë që aq heret, në vitin 1885, këngëtari shkodran Ndoc Galigaçi të ftohej për të kënduar në teatrin e famshëm “Scala” të Milanos. Ndaj, edhe pse fukara i këputur, ai nuk i mori në sy shpenzimet e mëdha që duheshin, por vajti atje për të çuar me dinjitet në Europë këngën e bukur të qytetit të tij. Domosdo populli i Shkodrës do ta ketë ndihmuar në këtë turne historik, sepse ai është aq zemërbardhë sa në raste të tilla gjithmonë gjëndet i gatshëm për të hequr diçka nga buka e fëmijëve.
Cilido shkodran që udhëton në një qytet tjetër mund ta vërej se sa e dashur është bërë kënga qytetare shkodrane në të katër anët e Shqipërisë.
Në verën e vitit 2010 ndodhesha në Korçë për festvalin poetik “Netët korçare”. Në njëren nga ditët e festivalit kaluam një drekë të paharruar në Dardhë të Korçës. Përveç shokëve të mi poetë e poetesha nga Durrësi, Korça dhe Elbasani, erdhën në tryezën tonë edhe dy këngëtarët e njohur të Grupit Lira: Gjergj Peleshi dhe Niko Kondili. Unë për t’i nderuar ata fillova të këndoj këngët korçare aq të bukura që kanë ata në repertorin e grupit të tyre: A vemi a s’vemi, O moj korçare sa e bukur je, Në mes gushes ke një pike, Rroku – rrokullisni kade etj. Por Gjergji Peleshi papritmas u ngrit në këmbë dhe ia mori shkodrançe. Gjer afër muzgut në Dardhë ushtuan këngët shkodrane: “Për mue paska kenë kismet”, “Metelikun ta kam falë”, “Çile zemrën plot kujtime”, “Tri vjet që u deshtme bashkë”, “Kaçurrelat e tua”, “Lulebora”, “Karajfilat që ka Shkodra”, e shumë të tjera.
Përsëri në mbremje, në lokalin e hotelit Kristal, këngëtarja që kishin marrë për ta bërë më të gëzueshme atë natë poetësh, erdhi me mikrofon në dorë, më mori mua dhe kënduam së bashku këngë shkodrane. Pashë që salla plot me poetë nga Shqipëria, Greqia, Bullgaria, Kosova e Maqedonia u elektrizua. Kënga shkodrane i bëri këngëtarë të gjithë… Madje edhe Artistën e Madhe, Margarita Xhepa, që merrte pjesë në mbremjën e poetëve.
7. Për mungesë teknike, kënga e vjetër qytetare shkodrane u regjistrua vetëm në kujtesën dhe shpirtin e popullit artëdashës shkodran. Edhe kështu ajo mbeti e paharruar në shekuj. Një pasuri shpirtërore gjigande. Megjithatë, edhe për lashtësinë e regjistrimit të këngëve qytetare, Shkodra është i vetmi qytet shqiptar që hodhi hapin e parë në këtë drejtim, për të ecur përkrah qytetërimit modern europian. Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit njëzet, Kolë Gurashi, njohës i vjetër i ahengut shkodran dhe autor i disa këngëve qytetare të këtij qyteti, njoftonte se ishte në dijeni që në vitin 1903, Shtjefën Jakova, kishte regjistruar në pllaka gramafoni shumë këngë të ahengut shkodran. Por ku ndodheshin këto relike të vjetra tepër të vyera për këtë qytet të këngës? Misteri u vetëzblua në vitin 1988. Familja e Kolë Kakarriqit i dorëzoi Muzeumit të rrethit të Shkodrës 96 pllaka të vjetra mbi të cilat janë regjistruar 192 këngë të ahengut të vjetër shkodran. Një pasuri kjo që do ta kishin lakmi edhe qytetarët më me kulturë të Europës. Këto pllaka përmbajnë në vetvete, jo vetëm një vlerë të madhe kulturore të këtij qyteti të quajtur qyteti i kulturës, por edhe një punë të shkëlqyer atdhetare të bërë në ato vite të një errësire të madhe, kur mungonte edhe buka, por jo kënga.
8. Kënga qytetare shkodrane pulson dhe rrezaton. Në të janë mpleksur lashtësia dhe rinia e qytetit. Duke u ndrruar epokat, secila ka nxjerrë edhe përfaqësuesin më të denjë të saj, korifeun aktual të këngës. Bik Ndoja është një disk i gjallë i këngës qytetare shkodrane. Portreti i tij është edhe portreti i këngës, repertori i këngës është edhe portreti i tij. Qindra këngë të kënduara me pasion për më tepër se një gjysmëshekulli kanë bërë që figura e tij të identifikohet plotësisht me këngën qytetare shkodrane. Nuk mund të kujtosh Bikun dhe të mos vijë në mënd kjo këngë, nuk mund të mendosh për këtë këngë pa t’u kujtuar Biku. Zëri i tij melodioz është ngritur si një monument i epokës tonë midis monumenteve të tjerë të epokave të këngës qytetare shkodrane. Ndoshta janë të rrallë këngëtarët që bëjnë epokë në këngë, por mund të them se Biku do të mbetet njëri nga ata këngëtarë që ka bërë epokë.
Që në rininë e hershme edhe Shyqyri Alushi e ka lidhur jetën e tij me këngën qytetare shkodrane. Ai është njëri nga njohësit më të mirë të ahengut shkodran. Prej shumë kohësh përkrah Bikut ai ka plotësuar një binom që vetëm rastësia mund t’ia dhurojë një qyteti. Por edhe shumë personalitete të këngës shqiptare emrin e mirë të tyre e kanë lidhur fort me këngën qytetare shkodrane. Të tillë janë Marije Kraja, Ibrahim Tukiqi, Xhevdet Hafizi, Luçie Miloti, Naile Hoxha, File Gjeloshi, Tonin Tërshana, Sabahet Vishnja, Florinda Gjergji, Klodilta Shantoja, Fatmira Puka, Justina Alia, Bahkim Alibali, Eduard Jubani, Myfarete Laze, Valdete Hoxha, Frederik Ndoci, etj. Është interesant se tundimit për të kënduar diçka nga kënga qytetare shkodrane nuk i ka shpëtuar as këngëtarja më e madhe shqiptare, e shkëlqyera Vaçe Zela, e cila këndoi me aq pasion këngën “Me lule të bukura” të kompozitorit Tish Daija, duke e kthyer në një perlë të këngës popullore – qytetare gjithëshqiptare.
Me gjithë këtë pasuri të madhe këngëtarësh që e ngritën në stade të reja dhe e lartësuan këngën qytetare shkodrane, tek Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi ka kohë që ndjehet shqetësimi i dorëzimit të stafetës – brezit të ri. Janë pak për Shkodrën Bujar Qamili, Mukades Çanga, Violeta Zefi, Enriketa Kuqani, Adnan Bala, Ariana Qalliu, Mustafë Nikshiqi, Indrit Mlika, Vjollca Luka, Eleonora Luca, Hajro Pepa, dhe grupi “Karafilat që ka Shkodra”. Shyqyri Alushi thotë se më shumë se kaq këngëtarë popullorë kishte dikur një lagje e Shkodrës. Por e keqja është se edhe këta, me përjashtime të pakta, nuk mund të quhën më të rinjë, tek të cilët të mbështetet e ardhmja e këngës qytetare shkodrane.
Përse këngëtarët që kanë kryer konservatorin për kanto, që nuk janë pak në këtë qytet, thuajse nuk merren fare me këngën qytetare shkodrane? Ç’e gjeti këngëtarin e mirënjohur shkodran, Frederik Ndoci, të diplomuar në konservator, se u muar edhe me këngën popullore të qytetit të tij? Përkundrazi, ai plotësoi me një dimension të rëndësishëm poliedritetin e tij prej këngëtari të kompletuar.
Me këngën qytetare shkodrane e patën për nder të merren korifejt e muzikës shqiptare Prenkë Jakova, Simon Gjoni, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Tish Daija, Tonin Harapi e plot të tjerë. Ajo nuk ua uli vlerat profesorëve, përkundrazi ua ngriti edhe më lart. Suksesi i tyre arriti kulmin në muzikën e kultivuar pikërisht sepse u mbështetën në tabanin e pasur të këngës qytetare shkodrane me tradita të pasura shekullore.
9. Kujtesa e popullit që është regjistratori më i lashtë dhe ndoshta më i sigurti, u ngrit mbi anonimatin e këngës qytetare shkodrane. Misterin e anonimatit e sfidoi kujtesa e brezave, e cila ka gdhendur në mënyrë të pashlyeshme, jo vetëm emrat e kompozitorëve popullorë që kanë lënë këtë trashigimi të pashoqe, por edhe momentet frymëzuese që i kanë nxitur dhe i kanë lindur këto këngë. Disa prej këtyre momenteve i përmendëm më lart si momentin e krijimit të këngës “Për mue paska kenë kismet” të Palokë Kurtit, atë të ngritjes së këngës “Moj e vogla si florini” të Alush Beqarit, apo “Kur çohën rosat prej lumit”, kompozuar nga Hila i Files.
Hasan Preza është autori i 5-6 këngëve që kanë hyrë në fondin e artë të këngës qytetare shkodrane. Ç’është më e çuditëshmja ruhet akoma në kujtesën shkodrane ajo ditë e largët kur Hasan Preza la çekiçin e këpucarit, uli qepenat e dugajës, sepse në zemër i vlonte një këngë. Kjo ndodhi kur një baba çoi vajzën e tij të bukur për t’i bërë me porosi këpucët e martesës. Gjithçka e kësaj vajze i la mbresa të forta e të pashlyeshme, që nga fytyra e saj prej perrije e deri tek këmba e vogël, të cilën e vuri me delikatesë mbi kartonin e këpucarit për t’i marrë masën. Kënga rrodhi vetvetiu si një burim i pastër:
Kush ka kenë ai kundraxhia
Që tu ba, moj, ty ashik,
Masën me sy ta ka marrë,
Stavaletin, hajde, një përçik…
Le t’i bënte njëherë këngën, pa për këpucët kishte kohë. Dhe vërtetë këpucët janë shqyer në kohë shumë të largëta e të harruara, dasmën e vajzës së bukur e kanë mbuluar vitet me harresë, edhe ajo vetë prej kohe nuk jeton më, por jeton kënga dhe me të edhe çdo detaj i krijimit të saj.
Dhe kështu kujtesa e popullit vazhdon të sfidojë anonimatin e këngës. Ajo nuk harron asgjë. As atë djalin, Bejto Halili, që degët e manit të komshiut e pengonin mizorisht për të parë të dashurën e tij, së paku nga larg. Ndaj këndoi dikur i mallëngjyer:
Kenke nuri i bukurisë
Shtpinë ma kishe në sejran,
Do t’i baj rixha kojshisë
Që t’ma presin pak njat mand…
Për çudi, në Shkodër dihet i dashuruari i pafat që bëri këngën, vajza së cilës i kushtohej ajo dhe komshiu që pa e ditur, me manin e tij të oborrit, kishte hyrë si një pengesë mes djalit dhe vajzës që se shihte dot.
Duke qenë kënga qytetare shkodrane e mbushur me copëza jete shoqërore e individuale ajo, në më të shumtën e rasteve, e ka hedhur tutje anonimatin dhe kujtohet si ana poetike e këtyre coprave të jetës qytetare që e kanë lindur dhe i kanë dhënë jetë.
Duke sfiduar në mënyrë të mahnitëshme anonimatin e këngës qytetare shkodrane kujtesa e popullit të këtij qyteti ka mbetur e freskët edhe pas qindra vjetësh. Ajo e di, bie fjala, se, edhe pse të krijuara para dy shekujsh, Molla Hysen Dobraçi ka bërë këngët: “Krisi topi”, “Buzën kuq si marëngjyli”, “Ti o mbreti i bukurisë”, “Fjalë e foli vetë Ramushi”, “Ani qiri që ban dritë”, “Kanga e Kara Mahmut Pashës”, etj.
Kasem Xhurri është autori i këngëve: “Karajfili ndejë në vesë”, “Drandafile çka po m’thue”, “Mori dadhëndyshe”, “Po vjen nusja dalëngadalë”, “Lulet e portogalit”, “M’asht ba zemra si zeheri”, “Çohem nadje sabahile”, “Sill Parvanë sytë prej meje”, “Vasha kjante tuj la n’prrue”, “Unë moj nanë një hall e kam”, “Jam shkri i mjeri porsi qiri”, “Këndo bylbyl n’atë drandafile”, etj.
Hila i Files, gjithashtu, ka krijuar shumë këngë, nder të cilat mund të përmendën: “Si vjen devri e zamani”, “Kur çohën rosat prej lumit”, “Në zaman t’njasaj furije”, “Të due mbi gjithkënd”, “Osaman o bir mos e pi rakinë”, etj.
Kurse Marku i Krajanes ka lënë këngët: “T’parën herë që të kam pa”, “Pa ndigjo more Nikollë Popi”, “Zemrën time krejt ma more”, “Eja tek unë moj aman”, “Sillet moti për së mbari”, etj.
E kështu, duke shfletuar në kujtesën artistike të këtij populli artist, mëson se këngët: “Një këllef me ar ta çova”, “Për mue paska kenë kismet”, “Marshalla bukurisë sate”, “Karajfili kuq si gjaku”, “N’Shkodër tonë ka ra një dritë”, “Kanarina dhe bylbyli”, “Të baj be pash perendinë”, “Në penxhere bri sarajit”, “Pra njeshtu due me fillue”, “Marshalla moj manushaqe”, “Nuri jot moj bukuri”, “Kur fillon drita me dalë”, “Ta dish, ta dish”, etj. i ka krijuar mjeshtri i madh i këngës qytetare shkodrane Palokë Kurti. Ndërsa Qorr (Shtjefën) Jakova e pasuroi repertorin e pasur të qytetit të tij me këngët: “O bylbyl o mbreti i shpendëve”, “Në këtë stinë t’bukur çilë drandafili”, “Ç’po shkëlqen lulja në mur”, “Ç’ke bylbyl në vjeshtë që kjanë”, “Ma gëzofsh shaminë e kuqe”, “N’këtë pranverë me lule shumë”, etj. Dhe mund të vazhdojmë me të gjithë ata që i kujton populli si Halit Tophana, Shtjefën Shahiri, Oson e Falltores, Haxhi Kastrati, Ndrekë Milla, Kolë Gurashi, Jonuz Shiroka, Kolë Saraçi, Zef Buba, Gjon Kraja, Ndrekë Biruca, Sait Hoxha, Shuk Prifti, Gaspër Leci, Xhoxhin e Preçit, Filip Muzhani, Manin e Zykos, Ndrekë Vogli, Simon Marketa, Nel Maha, Nush Pali, Gjon Shahini, Lan Kalaja, Kolë Lufi, Oso Dibra, Bejto Halili, Dom Zef Shestani, Hafiz Gogoli, Paulin Pali, Muho Shkreli, Gjon Kujxhia, Teufik Duka, Engjëll Çeka, Gac Çuni, Karlo Pali, Jonuz Gushta, Simon Çurçia, Namik Mithi, Pjetër Tafili, Kolë Mati Tuka, Rexhep Zoganjori e shumë të tjerë. Të gjithë këta emra të nderuar janë ngritur mbi anonimatin e këngës qytetare shkodrane dhe në një masë të madhe e kanë sfiduar atë. Të gjithë e dinë se këngët: “O ti det o ujë i njelmët” dhe “Ala emnin s’ta kam xanë” i ka bërë Ndrekë Vogli. “Karajfil në kodër” – Dom Zef Shestani, “Tri vjet që u deshtëm bashkë” – Teufik Duka, “Arkavan me bojë për mall” – Simon Çurçia, “Kaçurrelat e tua” – Gac Çuni, “Pranvera me dale ka fillue” – Nush Pali, “Karajfili lypte hije” – Gaspër Qurku, “Sa me shpejt ma vune kambën” – Engjëll Çeka, etj.
10. Repertori i këngës qytetare shkodrane është aq i gjërë sa nuk mund të futet në korniza të tilla të ngushta, siç është një shkrim apo disa shkrime. Vetëm me krijimtarinë e kompozitorit popullor Shefqet Kruja po të merresh, disa faqe nuk janë hiç gjë. Atje rrinë burra të mëdhenj të kombit tonë si Bajram Curri, Pashko Vasa, Avni Rrustemi, Ali Kelmendi, Dasho Shkreli, Teofik Çanga e plot të tjerë. Janë burra që bënë histori dhe në këtë qytet historia gjithmonë është kënduar. Këtë gjë duhet ta kenë parasysh fallsifikatorët e historisë, sepse është edhe kënga një fakt që nuk mund të rrëzohet lehtë, pasi është daltuar në zemrën e madhe të popullit. Kënga ka një fuqi të çuditëshme sa populli nuk pranon asgjë që bie në kundërshtim me të. Në historinë tragjike të varrim-çvarrimeve të shumta që u bënë pas vitit 1992, dihet se u varrosën dhe u çvarrosën me nderime të mëdha edhe tradhëtarë e kriminelë që për tradhëtinë dhe krimet e tyre populli i ka futur në këngë. Më kot të gjitha nderimet. Sepse ata që i ka pushkatuar kënga e popullit nuk mund të ringrihen më.
Shefqet Kruja, ky krijues i apasionuar, që kurrë nuk e njohu as pentagramin, as çelësin e solit, as notat muzikore, është një figurë e nderuar e këngës qytetare shkodrane, sepse kishte një njohje tjetër të madhe, njihte sekretin e prekjes së telave të zemrës që është sekreti më i madh për një krijues popullor. Krahas epikës, për të cilën thamë diçka, në repertorin e gjërë të tij Shefqet Kruja ka edhe një lirikë që të ngjan se është këputur e freskët nepër kopshtet plot lule dhe aroma të Shkodrës. Këtë lirikë mund ta shquash që në titujt e këngëve: “Nepër fusha e kodrina”, “Sa e bukur je natyrë”, “Nepër bahçe tuej shetitë”, e tjera. Lirike është edhe lidhja e ngushtë dhe tepër e gjatë e këtij kompozitori popullor me këngëtarin e njohur shkodran, Artistin e Merituar Shyqyri Alushi, i cili i këndoi me aq patos e dashuri këto këngë sa i bëri të njohura në tërë Shqipërinë.
Këngën e parë, “Zemra ime këndon me mall”, që siç shihet edhe nga titulli është një këngë malli, Adil Ujkashi e kompozoi kur ishte partizan me brigadat tona që u shkuan në ndihmë popujve jugosllavë për çlirimin nga nazifashizmi. Por kënga e tij më popullore është “Taksirat që m’ka xanë mue”. Kur u kthye nga radhët partizane, krahas magjeve të bukës për të cilat kishte nevojë Shkodra e atyre viteve, të cilat ai si mjeshtër druri dinte t’i bënte si askush, nuk harroi edhe këngën. Së bashku me Teofik Dukën dhe shokë të tjerë, dhanë koncertin e parë në Radio Shkodra me këngë qytetare shkodrane, direkt para mikrofonit.
Por në ato vite, kur era e shkrumit të luftës ndjehej akoma dhe kënga qytetare ishte e vetmja gjini e muzikës shqiptare, kompozitorët, që më vonë do të bënin vepra të mëdha muzikore, i kushtuan talentin dhe diturinë e tyre, këngës qytetare shkodrane duke dhënë një kontribut të ri në vazhdën e traditës shekullore të kësaj kënge. Artisti i Popullit, Tish Daija, mbi tekstin e Artistit tjetër të Popullit, të të paharruarit Tano Banushi, kompozoi këngën “Gëzoni, gëzoni, o ju krushq-o”, që u bë aq e njohur dhe aq e dashur, si dhe kënga tjetër e tij “Me lule të bukura”, për të cilën folëm më lart. Prenkë Jakova, gjithashtu, edhe pse në vitet e ardhëshme do ta bënte Shqipërinë me operën e saj të parë, kompozoi këngët “Gruri i ri”, “Kur e merr buljerën”, “Margjelo”, “Synin si qershia” që hynë shpejt në fondin e këngës qytetare shkodrane duke u bërë pjesë organike e saj. Po lindnin, pra, perla të këngës qytetare shkodrane si “Lulebora” e Simon Gjonit, “Mbeta gjithë ditën hijeve” e Leonard Dedës, refreni i së cilës për shumë e shumë vite u përdor si “sigël” në emisionin “Muzikë e kërkuar” të Radio Tiranës, “Nuk je lulja e bukur e ditës majit” e Pjerin Ashikut, “Turtullesha” e Ramadan Sokolit, etj.
11. Populli gjithnjë ka nevojë për këngë të reja. Sepse të reja janë edhe dasmat dhe gëzimet e tij. Ato duhet t’i shtohen çdo ditë realitetit, si pjesa më lirike e tij. Këtë qëllim kishin edhe festivalet e këngës qytetare shkodrane që u organizuan vite me radhë në këtë qytet dhe pastaj u shuan e humbën pa nishan. Ndofta sepse këngët e këtyre festivaleve sikur nuk i qasi sa duhet në perandorinë e saj kënga qytetare shkodrane. Dhe për këtë, padyshim, fajtor nuk është populli që nuk i bëri pronë të repertorit të tij, por janë krijuesit që s’arritën ta bëjnë atë të reagojë siç reagon ai gjithmonë ndaj së bukurës. Nuk është se nga këta festivale nuk ka mbetur asgjë. Ka mbetur ajo që duhet të mbeste. Kanë mbetur ato këngë që prekën atje ku duhet shpirtin e popullit si “Gryka e Kaçanikut” dhe “Ky marak” të Pjetër Gacit, “Nusja na ka ardhë” e Zef Çobës e ndonjë tjetër. Por edhe kaq sa ka mbetur nga këto festivale është mjaft për të thënë se ata duhet të vazhdojnë. Në fund të fundit arti nuk është shumë, arti është pak.
Përpunimi i këngës qytetare shkodrane është kapitulli më i dhimbshëm i saj. Ai bëhet për t’ia rritur vlerat këngës, por fatkeqësisht shumë shpesh kompozitorëve gjatë përpunimit u ka ndodhur siç u ndodh fëmijëve me xhamat, që duke dashur t’u japin një formë tjetër, i thyejnë. Ndaj njerëzit, pa pyetur fare për përpunimin, këndojnë zakonisht variantin e pastër popullor. Kjo ndodh pothuajse gjithnjë sepse për çudi mjeshtrat e muzikës duan t’u venë vetullat këngëve popullore dhe padashur u nxjerrin sytë. Ata shpesh futen në këngën popullore si një elefant në një dyqan me qelqurina.
12. Kënga qytetare shkodrane, me dimensionin e saj shekullor, është regjistruar në shpirtin e popullit që padyshim është shiriti më gjigand dhe më i pavdekshm. Megjithatë në fillim të shekullit tonë, Kasem Taipi iu vu punës për t’i mbledhur dhe për t’i botuar tekstet e këngëve, nga më të lashtat e deri tek më të rejat. Ai shfrytëzoi, sa ishin akoma gjallë, njohës të tillë të ahengut shkodran siç ishte Sait Hoxha, i cili ishte një disk i gjallë i këngës qytetare shkodrane të ardhur nga përtej shekujve. Siç duket pikërisht genet e këtij këngëtari të vjetër e plot pathos janë trashëguar tek këngëtari i njohur e disi i veçantë i ditëve tona, Sherif Merdani, nëna e të cilit është e bija e Sait Hoxhës. Por Kasem Taipi, me gjithë pasurinë e madhe që dispononte Sait Hoxha nga thesari i këngës qytetare shkodrane, kërkonte edhe më shumë. Ndaj me fletoren e tij të zverdhur në dorë kalonte nga Sait Hoxha tek Heti i Molla Sylos e me radhë te Hila i Files, te Lan Kalaja, dhe tek shumë të tjerë si Salo Shkreli, Lush Gurashi, Dash Kasemi, Nel Kadria, Jonuz Zeneli, Dul Haxhia, Nel Maha e shumë të tjerë.
Në majin e vitit 1933, ndërsa në kopshtet shkodrane kishin shpërthyer lulet shumëngjyrëshe, gjithçka ishte gati. Volumi i parë i këngëve të mbledhura nga Kasemi u botua në shtypshkronjën “Ora e Shkodrës”, nën titullin “Zana Popullore”. “Muza” europiane, qënia mitologjike e frymëzimit, zuri vend në këtë titull me ekuivalentin e saj shqiptar. Volumin e dytë të planifikuar, Kasem Taipi nuk arriti ta botojë. Këtë punë të vlefshme e ndërpreu vdekja, por këngët e mbledhura prej tij për vëllimin e dytë diku janë. Ato patjetër duhet të gjënden, sepse padyshim janë një thesar i vyer.
Kasem Taipi ishte njeri i pa arsimuar, por me këmbëngulje dhe vullnet të pashoq e vuri veten në radhën e mbledhësve të nderuar të folklorit shqiptar.
Një përpjekje tjetër më të specializuar bëri më vonë Pjetër Dungu me botimin e një numri tepër të kufizuar këngësh. Megjithatë ky libër i vogël që mban titullin “Lyra Shqiptare” është përpjekja e parë për transkriptimin e këngës popullore. Por punën më të kualifikuar në këtë drejtim e bënë muzikantet Tonin Daija, Tonin Zadeja dhe Agim Velaj. Dy të parët mblodhën me kujdes për vite e vite 250 këngë qytetare shkodrane dhe i botuan në një libër të transkriptuara. Po kështu edhe Agim Velaj doli me një libër dinjitoz, fryt i një pune shumëvjeçare në mbledhjën, sistemimin, transkriptimin dhe botimin e një pjese të madhe të fondit të këngës qytetare shkodrane.
Fusha e mbledhjes së këngës shkodrane është një fushë e hapur dhe e begatë. Përveç atyre që përmendëm kjo fushë ka tërhequr edhe mjaft specialistë të tjerë të muzikës. Tashmë mund të themi se edhe Mark Kaftalli, Abdulla Salobegu, Zef Gruda, Luan Barova, Isa Alibali e shumë të tjerë kanë në arkivat e tyre qindra këngë qytetare shkodrane të mbledhura.
13. Sado gjatë të flasësh për këngën qytetare shkodrane, në fund e ndjen se fare pak ke mundur të thuash për të. Profilin e kohërave që ajo e ka kapur me aq art është tepër e vështirë ta riprofilosh. Ky është një qytet ku kënga ka gjërësinë e jetës, prandaj nuk mund të pretendosh ta shkruash me të gjitha dimensionet e saj këtë gjërësi.
– Nga Nikolla Spathari